Foto: Koha

Abrashi: Kursyem 10 mln € me ndaljen e pensioneve për ata që s’janë banorë të RKS

2 Nëntor 2016 - 09:21      

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka bërë me dije se ministria që ai drejton ka arritur për një periudhë të shkurtër të kursejë nga buxheti i shtetit afër 10 milionë euro duke ndalur pensionet për ata njerëz që nuk janë banorë të përhershëm të Republikës së Kosovës.

Abrashi thotë se në janar të vitit 2015 është nxjerrë udhëzimi administrativ me të cilin definohen procedurat e aplikimit për pensione.

“Në këtë udhëzim sqarohet se pensioni bazë u njihet vetëm atyre personave që janë banorë të përhershëm të Republikës së Kosovës dhe normalisht që kanë arritur moshën 65 vjeçare”, ka thënë ministri, raporton Koha.net.

Ai ka paraqitur edhe një tabelë, ku thotë se paraqitet numri i përfituesve të pensionit bazë në vitin 2015, që ka filluar me 126 mijë e 113 pensionistë (janar) dhe me rritjen natyrore numri i përfituesve në dhjetor 2015 ka arritur në 132 mijë pensionistë.

Në tabelat e bashkangjitura të viteve 2015 dhe 2016, Abrashi thotë të ketë rënë numri i përfituesve, e kjo “si pasojë e mos-dokumentimit të të qenit banor i përhershëm i Republikës së Kosovës”.

“Pra vitin 2015 e kemi filluar më 132 mijë përfitues dhe në tetor (2016) kemi 120 mijë 146 përfitues. Nëse i shtojmë kësaj shifre edhe rritjen e numrit të përfituesve si efekt i rritjes natyrore, që është diku rreth 5000-6000 në vit, flasim për më shumë se 18 mijë suspendime apo ndërprerje për 10 muaj dhe me një kursim prej së paku 10 milionë euro”, ka potencuar ministri i Punës, Arban Abrashi.

Ai është zotuar se ministria që ai drejton, por edhe Qeveria, nuk do të ndalen së implementuari praktikat më të mira “në mënyrë që pensionistët e vërtetë të gëzojnë një pension dinjitoz”.

Kujtojmë se Lista Serbe, e cila është në koalicion qeveritar bashkë me LDK-në dhe PDK-në, kohë më parë patën parashtruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese pikërisht për këtë çështje, duke thënë se vendimi i marrë për t’ua ndaluar pensionet personave që nuk janë duke jetuar në Kosovë, e që në këtë rast preken më së shumti serbët, është jo-kushtetues.

Por, Kushtetuesja, ditë më parë ktheu përgjigjen e saj, duke thënë se vendimi është krejtësisht në pajtim me Kushtetutën e vendit.  

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...