Për t’i kryer punë grupit të Azem Sylës – ryshfet deri në 100 mijë euro [video]

1 Nëntor 2016 - 19:08      

Institucionet më të rëndësishme të shtetit ishin vënë në funksion të grupit të Azem Sylës, raporton Koha.net.

Rrjeti i tij, sipas Prokurorisë, kishte njerëz që u kryenin punë në të gjitha institucionet kur ata kishin nevojë për të pasur qasje në dokumente origjinale të pronave e deri te nxjerrja e aktgjykimeve bazuar në dokumente false.

Në aktakuzë thuhet se ata i kanë dhënë ryshfet kryetarit të Gjykatës Komunale, personave zyrtarë në Zyrën Kadastrale të Prishtinës, kanë dhënë ryshfet në Agjencinë Shtetërore të Arkivit të Kosovës, AKP, Prokurori dhe Polici, për të siguruar transferim sa më të shpejtë dhe të paligjshëm dhe për të kapërcyer pengesat e shumta që kishin ndodhur në ndërkohë.

Rol në grup kishin edhe ish-punëtorë të UNMIK-ut, siç është rasti i të akuzuarit tjetër, Hajrullah Berisha.
Sipas Aktakuzës, si punëtor i UNMIK-ut, ai ka pasur qasje në arkivin e Gjykatës dhe atë shtetëror të Kosovës, ka marrë dokumentet origjinale të tokave, i ka falsifikuar dhe ka kthyer dokumentet e falsifikuara në arkiv.

Një punonjës i AKP-së, Bekim Qerkini, kunati i të akuzuarit Avdyrrahman Brajshori, i ka siguruar informacione grupit lidhur me rastin Vujoviq. Në Gjykatën Komunale, vet kryetari Nuhi Uka ishte personi kyç që u ndihmonte në këmbim të ryshfetit.Ndihmë për këto veprime, sipas aktakuzës, jepej edhe nga zyrtarë të lartë të Komunës së Prishtinës, në kohën e qeverisjes së Isa Mustafës.
Për këtë, Haxhiut grupi i jepte 10 mijë deri në 50 mijë euro ryshfet. Në aktakuzë janë listuar 39 parcela të tokave të konfiskuara, Veternik, Llapnasellë, Lipjan dhe Graçanicë.

Nga shitja e jashtëligjshme e këtyre pronave, në periudhën 2006-2011, vetëm në llogarinë e Shaban Sylës ishin transferuar 1 milion e 435 mijë e 500 euro. Sipas aktakuzës, sa herë që ishin transferuar paratë, ato tërhiqeshin në ditën e njëjtë, për t’u ndarë me pjesëtarët tjerë të grupit.


 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...