Bashkë me Hilmi Kelmendin edhe tre kosovarë të dënuar nga Serbia [video]

1 Nëntor 2016 - 19:05      

Hilmi Kelmendi është personi i katërt ndaj të cilit Gjykata e Lartë e Kolegjit për Krime Lufte në Serbi kishte caktuar 30 ditë paraburgim më 11 prill të 2011-ës, raporton KTV.

Arif Shala nga Cermjani, Jahë Bushati nga Gërgoci, që të dy tashmë të ndjerë, dhe A.K. nga Rakovina e Gjakovës, së bashku me Hilmi Kelmendin, sipas aktakuzës, dyshohen për krime lufte.
Prokuroria për Krime të Luftës e Serbisë, më 11 prill të 2006-ës, nisi procedurat hetimore për vazhdim të hetimeve për këtë rast, me dyshimin se të akuzuarit morën nga shtëpia e tyre një rom në vitin 1998, për fatin e të cilit ende nuk dihet.

Ai do të dalë nesër para gjykatës.
Avokati i Kelmendit, Teki Bokshi, i ka thënë Kohavisionit se i mbrojturi i tij është arrestuar në momentin e parë që është hasur nga autoritetet Policore të Serbisë, pasi vendimi për paraburgim ka qenë i paraparë të hyjë në fuqi në momentin kur haset në të.
Në anën tjetër, familjarët thonë se po presin nga shteti për të bërë diçka, në mënyrë që Hilmiu të lirohet.

Kohavisioni, gjatë gjithë ditës së marte ka provuar të kontaktojë zyrtarët qeveritarë. Derisa Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, nuk u është përgjigjur as telefonatave e as pyetjeve me shkrim, i paqasshëm ishte edhe kabineti i kryeministrit Mustafa.

Ministria e Drejtësisë na ka orientuar t’i drejtohemi Ministrisë së Jashtme dhe kjo e fundit, nëpërmjet shefit të kabinetit të ministrit Hoxhaj, Bashmir Xhemaj, ka thënë se ministria do të angazhohet me forcat e saj për t’i ofruar ndihmë Kelmendit.

Ai i ka thënë KTV-së se i kanë dërguar notën e dytë të protestës shtetit serb. Kohavisioni ka kontaktuar edhe ambasadën gjermane në Kosovë, nëse do të bëjë ndonjë hap diplomatik për lirimin e Kelmendit, i cili është në procesin e marrjes së nënshtetësisë gjermane, por ata kanë referuar që të kontaktojmë me ambasadën gjermane në Beograd.
Hilmi Kelmendi u arrestua natën mes së premtes dhe së shtunës, teksa po vinte për pushime në Kosovë nga Gjermania.


 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...