Lumezi fton rajonin për luftimin e krimit të organizuar

1 Nëntor 2016 - 15:59      

Prishtinë, 1 nëntor 2016 – Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga disa prokurorë nga Zyra e tij, po merr pjesë në konferencën vjetore të prokurorëve të Malit të Zi, e cila po mbahet në kuadër të shënimit të Ditëve të prokurorëve të Shtetit të Malit të Zi.

Përmes një komunikate për media gjatë kësaj konference, pjesëmarrësit kanë diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht ndërmjet prokurorive në rajon.

Lumezi, duke theksuar se institucioni i Prokurorit të Shtetit nga Kosova ka marrëdhënie të mira bashkëpunimi me Prokurorinë e Malit të Zi, ka pohuar se të gjitha vendet e Ballkanit, por edhe më gjerë, ballafaqohen me format më të rënda të dukurive kriminale, si ato të krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit dhe të krimit ekonomik, andaj luftimi i këtyre dukurive kërkon bashkëpunim të ngushtë mes shteteve, gjegjësisht institucioneve, të cilat mbrojnë dhe zbatojnë sundimin e ligjit.

Ai në këtë konferencë ka theksuar nevojën për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe për zbardhjen e rasteve të krimeve të luftës, ndërsa ka prezantuar praktikat e vendit tonë në aplikimin e dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe përvojat e prokurorëve në rastet e negocimit të pranimit të fajësisë.


Lumezi ka thënë se, “vetëm me një bashkëpunim të mirë dhe të sinqertë të të gjitha prokurorive në regjion, mund të arrihen rezultate pozitive në luftën kundër dukurive më komplekse kriminale”, si dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që e drejton, për bashkëpunim me të gjitha prokuroritë e vendeve tjera, me qëllim të parandalimit të dukurive negative.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...