Pika më e rëndë ndaj Sylës e sheh atë si organizator të grupit kriminal [video]

31 Tetor 2016 - 19:09      

Në 262 faqe, prokurori i EULEX-it ka renditur akuzat e dëshmitë për ish-deputetin e PDK-së, Azem Syla.

Në aktakuzën e parë të prokurorit, Danilo Ceccarelli, pos Sylës akuzohen edhe 21 persona të tjerë, përfshirë ish-kryetarin e Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka dhe 3 persona tjerë të dënuar në rastin Bllaca.

Në aktakuzën që e ka siguruar KTV-ja, sqarohet se si ka funksionuar grupi i organizuar kriminal.

Prokuroria e konsideron Azem Sylën organizator, mbikëqyrës, udhëheqës dhe drejtues të grupit të organizuar kriminal, që i menduan aktivitetet kriminale të grupit dhe e financuan atë.

Ai ngarkohet me 5 pika të akuzës nga 46 sa janë gjithsej për keqpërdorime me prona, që nga 2006-a e deri këtë vit.

“Azem Syla koordinoi aktivitetet kriminale dhe mbajti një rol mbikëqyrës mbi gjithë operacionin; caktoi anëtarët e tjerë të grupit të organizuar kriminal për rolet e tyre të veçanta brenda një hierarkie të përcaktuar mirë; miratoi ose refuzoi propozimet operacionale nga anëtarët e tjerë të grupit të organizuar kriminal; dha urdhra dhe udhëzime për anëtarët e tjerë të grupit; kërkoi raporte sa i përket aktiviteteve të vazhdueshme kriminale nga anëtarët e tjerë të grupit; mori pjesë në veprat themelore penale duke dhënë instruksione, udhëzime dhe miratim; siguroi dhe mori shumicën e fitimeve nga aktivitetet kriminale”, thuhet në aktakuzë.

Pos Sylës, organizatorë e bashkëthemelues të grupit të organizuar kriminalë janë edhe Shaban Syla, Shpresim Uka dhe Fahredin Gashi, që të tre të dënuar në rastin Bllaca.

Por, Fahredin Gashi, i cili ishte shpallur si i paaftë mendërisht, del se ka qenë pjesë e këtij grupi kriminal nga Burgu i Dubravës.

“Gjykata është ende duke marrë parasysh nëse gjyqi kundër Fahredin Gashit mund të vazhdojë ose jo për shkak të sëmundjes së tij të dyshuar mendore, përgjimet e fundit tregojnë se nga burgu i Dubravës, Fahredin Gashi ka përdorur 3 telefona të ndryshëm të mençur dhe disa SIM kartela për të drejtuar biznesin e tij, në një mënyrë shumë racionale, të qartë dhe të qartë mendërisht; ai gjithashtu ka komentuar ekspertizën e mjekëve të QKUK-së duke dëshmuar se si ata mjekë janë kontrolluar dhe ndikuar me lehtësi nga ai dhe anëtarë të tjerë të grupit kriminal pjesë e të cilit ai ende është”, shkruan në aktakuzë.

Pos akuzës për krim të organizuar kriminal, ish-komandanti i UÇK-së akuzohet edhe për shpëlarje parash, mashtrim i rëndë derisa të tjerët akuzohen edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare e marrje ryshfeti.

Në vazhdimin e aktakuzës ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve, nesër do të kuptoni se si kanë qenë të përfshirë në rrjetin e organizuar kriminal edhe UNMIK-u, Gjykata, Prokuroria, Policia, AKP dhe Komuna e Prishtinës dhe sa ryshfet iu ishte dhënë atyre ndër vite që të kryenin shërbime për grupin e organizuar kriminal. Gjithashtu do të mësoni se sa milion euro ishin transferuar brenda 5 vjetëve vetëm në llogarinë e të akuzuarit Shaban Syla.


Pika më e rëndë ndaj Sylës e sheh atë si... by kohanet
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...