Foto: Koha

FAZ: Nëse FFK-ja dëbohet nga UEFA, Kosova afrohet me Shqipërinë

31 Tetor 2016 - 16:50      

Përse vendimet e Gjykatës së Sportit në Zvicër mund të rrezikojnë stabilitetin në Ballkan? Në Gjykatën Ndërkombëtare të Sportit të Lozanë me nismën e Serbisë zhvillohet seanca dëgjimore mbi pranimin e Kosovës në UEFA.

Këtë të hënë (31.10) në Zvicër nis procedura për marrjen e vendimit më të rëndësishëm politik të vitit për Ballkanin. Federata serbe e Futbollit me ankimimin e saj pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Sportit në Lozanë kërkon që të kthehet vendimi i marrë në mars në Kongresin e UEFA-s në Budapest për pranimin e Kosovës.

Serbia argumenton që në Budapest janë shkelur statutet e UEFA-s, sepse sipas tyre, një federatë futbolli mund të bëhet anëtare vetëm nëse vendi përkatës është anëtar i OKB-së.

Nëse gjykata i jep të drejtë Serbisë, Kosovës do t’i duhej të tërhiqej edhe nga FIFA, ku mund të jenë anëtar vetëm federatat të cilat janë pranuar edhe në UEFA.

Duke komentuar këtë proces, gazeta e përditshme gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), siç transmeton DW, vë theksin tek çështja e tendencave për bashkim ndër shqiptarë. Sepse pikërisht për të shmangur rrezikun e ndryshimit të kufijve, në Kushtetutën e Kosovës, bazuar në planin e Martti Ahtisaarit, është përcaktuar përdorimi i simboleve si flamuri i Kosovës e jo ai i Shqipërisë për krijimin e një identiteti kosovar.

E sporti është një nga fushat, ku preferohen veçanërisht simbolet kombëtare. Ishte sinjifikative që fituesja e medaljes së artë në Lojërat Olimpike në xhudo Majlinda Kelmendi u brohorit në Prishtinë me flamurin e Kosovës dhe jo me atë të Shqipërisë.

“Për sportistët kosovarë deri më tani Shqipëria ka qenë pika e referimit që u ka hapur atyre rrugën drejt suksesit. Ndaj prej vitesh një qëllim i rëndësishëm politik i qeverive në Kosovë dhe i përkrahësve ndërkombëtarë perëndimorë ka qenë pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA. Sporti më popullor i njerëzimit, kështu gjykohet, ngre peshë emocionet e milionave në Ballkan e kësisoj mund të kontribuojë edhe për forcimin e një identiteti kosovar. Është e mundur që juridikisht Serbia të ketë sukses në Lozanë, sepse argumentet ligjore janë të forta. Serbia përpiqet edhe në fusha të tjera të mbrohet me sukses kundrejt pavarësimit të mëtejshëm kosovar. Beogradi pengon edhe një prefiks telefonik të Kosovës, inicialin e saj në internet si dhe pranimin në UNESCO. Lista është e pafundme. Nëse qeveria serbe tani do të ketë sukses edhe në Lozanë, me këtë ajo do të bëjë edhe një hap më tej për ta hedhur më shumë ish-provincën e vet në krahët e Shqipërisë”, shkruan FAZ. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...