Vonohet treni për Prizren

31 Tetor 2016 - 15:14      

Stacioni i trenit në Prizren dikur ka qenë përplot me njerëz të cilët udhëtonin nëpër vende të ndryshme të Kosovës, por edhe më larg.

Megjithatë, linja e Prizrenit, tanimë e degraduar dhe e uzurpuar, mbetet jashtë funksionit, kurse zyrtarët institucionalë nuk japin datë të saktë se kur mund të rehabilitohet.

Qytetarët e Prizrenit ishin mësuar me sirenat e lokomotivave të trenit, por që kjo gjë po u mungon tash e shumë vite. Në stacionin e trenit, në këtë qytet i cili dikur ishte përplot me njerëz, sot vërehet degradim i skajshëm, ku një pjesë e pronës së hekurudhave është uzurpuar, e në to janë ndërtuar edhe ndërtime të larta. Drejtori i Infrakosit, Agron Thaçi, thotë se është i vetëdijshëm për të gjitha këto, dhe se në bashkëpunim me komunën e Prizrenit janë duke u munduar ta sanojnë gjendjen. Kurse sa i përket rehabilitimit të kësaj linje, thotë se kjo gjë mund të ndodhë në afat 3 vjeçar.

“Unë mendoj se linja Fushë Kosovë - Klinë - Prizren dhe Klinë- Pejë në periudhën dy vjeçare do të duhej të funksionalizohej prej momentit që ne sigurojmë buxhetin për investime. Nëse ne sigurojmë buxhet vitin e ardhshëm ajo pritet që brenda 3 viteve të funksionalizohet” , ka thekuar Thaçi.

Por kaq optimist nuk shprehet ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku. Ai për Radio Kosovën thotë se institucionet financiare të Bashkimit Evropian janë të interesuar të financojnë projektet hekurudhore, por linja për Prizren mbetet për jo më herët se 4 apo 5 vite.

“Flasim për periudha afatmesme, flasim për 4 apo 5 vjet, nuk mund të presim që brenda 1 apo 2 vite të fillohet me këto punë” , ka theksuar Zharku.

Drejtori i Infra-kosit, Agron Thaçi, thotë se është i interesuar që stacioni i trenit në Prizren, së paku për udhëtarë, të mos zhvendoset nga vendi historik i tij, dhe se këtë ua ka bërë me dije edhe drejtuesve të komunës së Prizrenit.

“Unë kam shpreh personalisht me ekipin tim një kërkesë e një vendosmëri që megjithatë hekurudha të mbetet aty ku është, ndërsa linja tjetër do të vazhdojë si është planifikuar. Por linja ekzistuese të mbetet ashtu, a do të jetë mbi tokë, apo “underground” aty do ta shohim, është çështje e zgjidhjeve teknike, por duam që të mbetet një stacion ku do të krijohet një qendër atraktive.”

Komuna e Prizrenit në Planin Urbanistik nuk ka paraparë që të ekzistojë hekurudha në pjesën ekzistuese, por që të ndërtohet një Stacion i ri hekurudhor te Landovica, prej ku do të lidhet me Shqipërinë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...