S’ka përafrim qëndrimesh për vijën administrative që ndan Mitrovicën [video]

30 Tetor 2016 - 19:13      

Suhodolli është bërë “mollë sherri” e mosnënshkrimit të marrëveshjes që do të definonte kufirin administrativ mes dy komunave të Mitrovicës, asaj jugore dhe veriore, ani pse ky fshat gjendet në anën veriore të lumit Ibër.

Ministrja për dialog, Edita Tahiri, është shprehur se kjo çështje është përcaktuar qartë me ligjin për vijat administrative komunale të Republikës së Kosovës, dhe nuk do të ketë kurrfarë ndryshimi rreth kësaj.

Sipas saj, kjo çështje nuk është diskutuar asnjëherë në Bruksel dhe as që do të diskutohet, sepse është çështje e brendshme e Kosovës.

“Është e vërtetë se në vitin 2013, banorët e Suhodollit kanë votuar në veri për shkak të disa paqartësive me hartat, mirëpo në kohën kur kemi diskutuar me katër komunat për zgjedhjet, unë kam kërkuar që t’u referohemi hartave të Ahtisaarit. Aty shihet se Suhodolli është me jugun e Mitrovicës, ndërsa Kroi i Vitakut me veriun. BE-ja mbi hartat e marra nga OKB-ja ka nxjerrë një interpretim juridik, respektivisht që Suhodolli përfshihet me jugun e Mitrovicës”, ka thënë Tahiri.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi se kufiri në mes të jugut dhe veriut të Mitrovicës mbetet në përpikëri, ai që ka qenë më herët.

Derisa Prishtina zyrtare thotë se kufiri administrativ i komunës së Mitrovicës së jugut, bazuar në hartën që del nga dokumenti i Marti Ahtisaarit, përfshinë brenda edhe fshatin Suhodoll, veriorët e kundërshtojnë një gjë të tillë.

Kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, ka thënë se kjo çështje akoma s’ka përfunduar.

“Vija administrative në mes të Mitrovicës veriore dhe jugore akoma s’ka mbaruar, kemi biseduar disa herë unë dhe kryetari Bahtiri, ku kanë qenë të pranishëm përfaqësues të BE-së dhe ambasadave nuk kemi gjetur një zgjidhje për kompromis dhe jam i mendimit se kjo çështje duhet të kthehet për zgjidhje në Bruksel… Gjatë procesit të zgjedhjeve në mitrovicën veriore, qytetarët e Suhodollit kanë votuar në veri, pastaj kemi këshilltarë të cilët janë pjesë e Kuvendit Komunal të Mitrovicës veriore andaj nuk mund të heqim dorë aq lehtë”, theksoi Rakiq.

Por, shefja e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, gjatë vizitës së saj para disa ditësh në veri të Mitrovicës, ka shprehur shpresën e saj se në të ardhmen më nuk do të flitet për Mitrovicën Veriore dhe Jugore por vetëm për Mitrovicën.

Rreth kësaj çështjeje, më herët u mendua se qëndrimet mes palëve janë përafruar, mirëpo, ato vazhdojnë të mbeten ende larg, secila në pikëpamjen e vet.


S’ka përafrim qëndrimesh për vijën... by kohanet
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...