“Oriku”, anija e flotës shqiptare në misionin e NATO-s

30 Tetor 2016 - 15:29      

Anija “Oriku”, e para në historinë e flotës detare shqiptare, do të marrë pjesë së bashku me ekuipazhin e saj në operacionin e NATO-s në detin Egje, në mesin e muajit nëntor.

Monitorimi, njohja e situatës në rajon dhe lufta kundër terrorizmit janë qëllimet e operacionit të NATO-s në Egje. 21 shqiptarët e ekuipazhit të anijes, me në krye kapitenin e rangut të tretë Ilir Çobo, kanë vite që stërviten dhe trajnohen paralelisht me modernizmin e mjeteve dhe pajisjeve për të mbërritur në këtë ditë, për të qenë të barabartë me vendet e NATO-s.

“Nuk ka qenë një detyrë e lehtë. Koha për t’u përgatitur, dokumentacioni përkatës, situatat, njohja e efektivit, përgatitja e tyre morale, sepse kjo ka të bëjë shumë gjatë një stërvitje të tillë. Jemi në fazën kur mund ta shprehim me siguri të plotë se jemi gati për të marrë pjesë si të barabartë në operacion. Ndërkohë është krenari që ne, një ekuipazh shqiptar me një anije shqiptare të përfaqësojnë sa më denjësisht vendin në operacione të tilla, për të kontribuar për sigurinë. Duhet të kemi parasysh se vijmë me historinë e të qenit konsumatorë të sigurisë, ndërsa tani kalojmë në fazën tjetër të të qenit kontribuues për sigurinë”, tha kapiteni Ilir Çobo, raporton Tch.

Me një autonomi prej 6 ditësh lundrimi në det të hapur, anija “Oriku”, përveç monitorimit të hapësirës detare në kuadër të operacionit të NATO-s, është certifikuar edhe për të ndërhyrë në raste emergjencash, kur konstatohen mjete që transportojnë klandestinë.

“Në qoftë se ne rastisim një mjet që nuk ndodhet në emergjencë, pra nuk rrezikohet jeta e njerëzve, jemi të detyruar të njoftojmë anijen komandë e përmes tyre njoftohet Roja Bregdetare e shteteve përkatëse, të cilat kanë përgjegjësinë territoriale. Më pas vijnë ata për t’i marrë në bordin e tyre. Në rast se kemi persona të cilëve u rrezikohet jeta, jemi të detyruar të japim ndihmën e parë, ndërkohë që ata i dorëzojmë pranë autoriteteve të vendit që i përkasin ujërat territoriale. Kapacitetet janë për mbrojtjen e anijes, jo për sulme ndaj anijeve të tjera. Për këtë janë të montuara dy mitrolozë në bord, përveç armatimit personal të efektivit, i cili kohët e fundit është modernizuar”, shton më tej kapiteni Çobo.

Si çdo herë e parë, ky operacion do të kujtohet gjatë nga ekuipazhi dhe flota detare shqiptare, por njëkohësisht është edhe një provë reale, që tregon se Shqipëria, të paktën në fushën e mbrojtjes, është shumë më pranë standardeve të vendeve të aleancës. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...