KDI thotë se dje në seancën Veseli përdori standard të dyfishtë ndaj deputetëve

28 Tetor 2016 - 16:49      

Thirrja e seancës së jashtëzakonshme për zhvillimin e një debati parlamentar për vlerat e UÇK-së si reagim ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për rastin “Drenica 2”, sipas Insitutit Demokratik të Kosovës, përveç se ka qenë formë e presionit të pushtetit legjislativ ndaj atij gjyqësor, ka përçuar mesazh të gabuar te qytetarët. Më tej ky institut thotë se kryesuesi i seancës duhet të përdorë masa të nevojshme për ata që pengojnë seancën dhe fyejnë gjatë seancës.

“Nëse Kuvendi nuk i beson sistemit të drejtësisë dhe konteston vendimet e saj, atëherë si mund të pritet nga qytetarët të bëjnë këtë?! Kosova edhe ashtu është kritikuar në vazhdimësi për brishtësinë që ka sistemi i drejtësisë dhe ndërhyrjes së politikës në të. Kjo seancë vetëm sa ka konfirmuar një pretendim të tillë”, thuhet në një komunikatë të KDI-së, transmeton Koha.net.

Për më tepër debati i zhvilluar, gjithmonë sipas këtij instituti, nuk prodhoi ndonjë diskutim përmbajtësor dhe nuk arriti t’i vejë në spikamë vlerat e UÇK-së, por më shumë shpërfaqi mungesën e vlerave tek një numër i konsiderueshëm i deputetëve.

Ata përmendin edhe fyerjet e kërcënimet mes deputetëve.

“Degjenerimi i debatit në fyerje personale, kërcënimet mes deputetëve, përdorimi i gjuhës jo parlamentare, shkëmbimi i akuzave të ndërsjella, e posaçërisht tentim sulmi i deputetit në foltore janë të patolerueshme, sidomos në një debat ku pretendohet të diskutohet për vlerat e UÇK-së Kuvendi nuk guxon në asnjë formë të kthehet në arenë përleshjesh mes deputetëve. Është në kompetencë të kryesuesit të seancës që të parandalojë diçka të tillë”, shtohet nga KDI, teksa kërkon nga kryesuesi që të zbatojë masat e nevojshme për deputetët që pengojnë punimet në Kuvend.

“Kërkojmë nga kryesuesi që të zbatojë të gjitha masat e nevojshme ndaj deputetëve të cilët pengojnë mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit, përdorin gjuhë jo parlamentare apo pengojnë deputetët e tjerë në ushtrimin e mandatit të tyre. Këto masa të vlejnë për të gjithë deputetët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre partiake, duke qenë se u vërejt zbatimi i standardeve të dyfishta nga Kryetari”, thuhet nga KDI.

Ata i bëjnë thirrje Kuvendit të respektojë parimin e ndarjes së pushteteve, deputetëve të që të jenë më të matur karshi zhvillimeve politike, të vendosin interesin e qytetarëve të Kosovës në radhë të parë, dhe të mos përpiqen të përfitojnë politikisht nga ngjarje të tilla kaq të ndjeshme për shoqërinë dhe familjet e dëshmorëve.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...