Veseli shpjegon për çka ka luftuar UÇK-ja

27 Tetor 2016 - 12:46      

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-se, në fjalën e tij para Kuvendit, ka thënë se UÇK-ja luftoi për të ndërtuar një shoqëri të lirë ku sundon drejtësia dhe të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Situata që jemi sot në Kuvend pak po na lë të përçojmë njerëzillëk. Nuk bën në emër të kontributeve të goditet tjetri. Sot po flas edhe si kryetar i Kuvendit, edhe i PDK-së, edhe si luftëtar, edhe si qytetar, ka thënë Kadri Veseli, transmeton KTV. Nuk bën ta ndajmë popullin. Të gjithë e kemi ditur që kjo seancë do të shërbejë për të goditur njëri tjetrin. Të gjithë kemi familje e fëmijë e ta ruajmë njëri tjetrin për atë gjak që është derdhur.

Po e nisi fjalimin me një rrëfim personal, e aty ka qenë edhe një koleg imi i opozitës. Ishte 7 prilli i vitit 1999, në Zonën Operative të Drenicës, kur forcat policore serbe kishin mësyrë për të vrarë, djegur e dhunuar... Ajo ditë na solli humbje të mëdha. U vranë 3 bashkëluftëtarë. Nëna e Xhevat Demakut ia kishte bërë hallall të gjithë djemtë e saj tokës së Kosovës. Sot kjo nëna e vëllezërve Demaku duhet ta durojë edhe një dhimbje tjetër.

UÇK-ja luftoi për një shtet, ku një qytetari mund të dënohet vetëm në bazë të vendimeve të drejta. Politika nuk duhet të ketë implikim në çështje gjyqësore. PDK beson fuqishëm në këtë parim. Kjo ka qenë arsyeja pse kemi heshtur, pra për t’i hapur rrugë drejtësisë.

E nuk ka padrejtësi më të madhe sesa ajo që mund të behet në emër të drejtësisë. Kam qëndruar dhe qëndroj mbi parimin se liria e personit është më pak e vlefshme se liria e shtetit tonë. Ky pranim, që ia kemi bërë edhe Gjykatës Speciale nuk nënkupton pranimin e cenimit të shtetit tonë. Njëri nga të dënuarit në Grupin e Drenicës nuk ka qenë në Kosovë në atë kohë, e sot është i dënuar. Kosova dhe qytetarët e saj kanë vuajtur gjatë nga padrejtësitë, standardet e dyfishta. Ne nuk duam të interferojmë në sistemin gjyqësor, por nga ana jonë politike nuk mund të mos reagojmë e të paraqesim shqetësimet tona. Askush mbi ligjin.
Sa u përket sulmeve mbi ushtarët e UÇK-së, them UÇK-në mund ta duash ose jo. UÇK ishin të gjithë qytetarët dhe nuk e nderon askush vetën e as familjen që i bën akuza luftëtarëve. Kush ka akuza, le t'u drejtohet gjykatave.

Pa UÇK-në, as NATO, as BE e as SHBA nuk do të ishin prezentë në shtetin e Kosovës, ka thënë Veseli. Nuk duhet të nxitemi nga ego për interesa parciale. Po iu drejtohem bashkëluftëtarëve. Po kalojmë momente të vështira bashkë. Mund të rrëmbehemi nga emocionet e të shkatërrojmë gjithçka që kemi arritur deri tash. Ju luftëtarë qëndroni krenarë e ballëhapur. Sulmet e padrejta nuk mund ta zhbëjnë faktin se ju keni qenë luftëtarë të lirisë të tokës së Kosovës. Ne do të jemi gjithmonë me çlirimtarët.

Kam mesazh të veçantë edhe për fëmijët. Shkoni në shkollë. Mësoni sa më shumë për luftën që kanë bërë baballarët tuaj. Ju jeni fëmijë heronjsh. Heronjtë kthehen të fundit nga beteja dhe e përjetojnë të fundit lirinë, është shprehur Veseli.

Seanca e sotme vjen pas mbledhjes urgjente që mbajti dje Kryesia e Kuvendit, ku u paraqiten rreth 40 nënshkrime të deputetëve që kërkuan të diskutojnë për vendimet e fundit të Gjykatës së Apelit për rastin “Drenica”.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...