Mustafa s’i jep asnjë vlerë deklaratës së Kuvendit për BE-në, do demarkacionin

26 Tetor 2016 - 21:57      

Kryeministri i Kosovës, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk kërkon deklaratë për liberalizim të vizave, por përmbushjen e kriterit që është votimi i demarkacionit që të hiqen vizat.

Ai ka thënë se marrëveshja për deklaratën e përbashkët të partive politike në Kosovës në lidhje me ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi nuk kryen punë, por duhet të merret vendimi në Kuvend që të ratifikohet ligji.

“Nuk shoh asnjë arsye që ne të humbim energji nëse po e bëjmë një deklaratë të shkruar ashtu, apo kështu, sepse ne mund të çojmë shumë deklarata në Bruksel por ato nuk i plotësojnë kriteret e liberalizimit. Në qoftë se ne jemi të gatshëm të pajtohemi që ta ratifikojmë marrëveshjen ose nëse ne kemi ndonjë argument të qartë se Kosova në një periudhë të caktuar kohore që i referohet edhe shpalljes së pavarësisë ka administruar ose qeverisur territor më shumë se sa ka sot, atëherë për ne ai është argument që t’i themi Malit të Zi se marrëveshja nuk është bërë si duhet. Por deri më sot përpos hartave, atllaseve, globuseve nuk kemi asnjë dokument tjetër që tregon se ne kemi humbur territor me atë marrëveshje”, ka thënë Mustafa në transmetuesin publik.

Ai ka thënë se demarkacioni duhet të ratifikohet.

“Në këtë aspekt ne duhet të ulemi të flasim konkretisht me terma, e jo që edhe më tutje të shërbehemi me kauza politike ose të shtyhemi a po e detyrojmë pozitën që tani të heqë dorë prej marrëveshjes. Ne nuk do të heqim dorë prej asaj marrëveshje dhe do të mbetet si e tillë. Është çështje e deputetëve dhe Kuvendit të Kosovës se a do të tregojë vullnet për ta ratifikuar apo jo. Nëse nuk ratifikohet kjo marrëveshje unë jam shumë i bindur se qytetarët do të mbesin ende nën regjimin e vizave, këtë e them në bazë të bisedave që kam pasur me liderët e BE-së, të cilët më kanë thënë se ju duhet ta ratifikoni marrëveshjen dhe se humbja e energjisë duke bërë deklarata është vetëm çështje për konsum të brendshëm dhe ajo nuk e rregullon punën”, ka përfunduar Mustafa.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...