Thaçi: Ruajtja e reputacionit të Kushtetueses nënkupton edhe reputacion të shtetit

26 Tetor 2016 - 19:19      

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të vitit të shtatë gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese.

Për ta mbrojtur rendin tonë kushtetues, presidenti Thaçi ka thënë se ishte më se i domosdoshëm krijimi i një organi të pavarur të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, i cili do të bënte edhe interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, transmeton Koha.net.

“Këtë detyrë dhe këto obligime po i përmbush me sukses Gjykata Kushtetuese”, ka thënë presidenti Thaçi.

Efekti i vendimeve të kësaj gjykate, në kuptimin e fuqisë së tyre juridike, sipas presidentit, është përfundimtar dhe ato nuk mund t’i nënshtrohen rishikimit nga cilido institucion apo mekanizëm shtetëror.

“Zbatimi i këtyre vendimeve, duke filluar nga presidenti e deri tek të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, ka treguar dhe po tregon se Gjykata Kushtetuese është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në funksionimin e demokracisë në Kosovë”, është shprehur presidenti Thaçi.

Në këtë mënyrë, ai ka thënë se po ndërtojmë fuqishëm konceptin e Kosovës si shtet kushtetues, ku parimet kushtetuese po gjejnë shprehje në vendimet dhe veprimet e të gjitha institucioneve dhe autoriteteve shtetërore.

“Ruajtja e reputacionit dhe dinjitetit të Gjykatës Kushtetuese nënkupton edhe ruajtjen e reputacionit dhe dinjitetit të Republikës së Kosovës. Duke mbrojtur Kushtetutën ju mbroni Republikën, mbroni qytetarët dhe mbroni institucionet”, ka thënë presidenti Thaçi.

Si President i Republikës së Kosovës, ai ka theksuar se funksionimi dhe efikasiteti i Gjykatës Kushtetuese duhet të merret si model i funksionimit të gjyqësorit në vendin tonë edhe nga nivelet tjera të gjyqësorit.

Në ceremoninë e shënimit të vitit të shtatë gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese, përveç presidentit Thaçi dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, të pranishëm ishin edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa dhe përfaqësues të shumtë të korit diplomatik në Kosovë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...