Foto: Koha / arkiv

PDK: Dënimet e “Drenica II”, tentim për të krijuar baraspeshë me krimet e Serbisë

26 Tetor 2016 - 15:03      

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar në lidhje me dënimin që Gjykata e Apelit u ka konfirmuar të akuzuarve në rastin “Drenica II”.

PDK, përmes një komunikate, ka thënë se i ka përcjellë me shqetësim proceset gjyqësore ndaj luftëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së në secilin rast, e në veçanti në rastin Drenica.

“Në cilindo rast të këtillë, ne kemi pasur dhe kemi bindjen e thellë se lufta e UҪK-së ishte e drejtë, çlirimtare dhe që ka respektuar çdo normë ndërkombëtare. Kjo edhe është vërtetuar në shumë raste, nga të cilat është tentuar të dëmtohen figura të larta çlirimtare dhe vetë lufta e drejtë e UҪK-së. Rasti i fundit tregon një shpërfaqje të re të një qasje të tillë ku jo vetëm dënimi, por edhe i tërë procesi ishte një tendencë e mohimit të vlerave tona sublime dhe dënimit të figurave të larta edhe në kundërshtim me vetë standardet e drejtësisë të njohura në botë dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas partisë më të madhe në vend, me këto dënime “jo të drejta”, haptazi vërehet “tendenca e inkriminimit të luftës së drejtë të UҪK-së” dhe e “krijimit të baraspeshës në mes luftës së drejtë të UҪK-së dhe agresionit të Serbisë”.

“Shqetësim edhe më i madh për ne është se janë dënuar pa të drejtë, duke u cenuar edhe vetë sistemi i drejtësisë dhe nocioni drejtësi për qytetarin tonë. PDK ka qëndrim të qartë për drejtësinë si sistem i pavarur, profesional dhe i pa anshëm, por në çdo rast të cenimit të këtij parimi, si në këtë radhë, fton institucionet relavante vendore dhe ndërkombëtare që të veprojnë sipas ligjeve dhe standardeve ndërkombëtare në çdo rast dhe të korrektojë çdo padrejtësi që është vërejtur gjatë këtij procesi gjyqësor, që nuk duhet të jetë pjesë e jetës juridike të një shteti demokratik”, thuhet në reagim.

PDK vazhdon të besojë në pafajësinë e luftëtarëve dhe në luftën e drejtë të UҪK-së, si dhe kërkon veprime që mbrojnë imazhin e drejtësisë.

“Nuk do të pajtohemi me aktgjykime që kanë për bazë motive tjera jashtë drejtësisë”, thuhet në reagim 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...