Daçiq: Kosova është me fusnotë në Marrëveshjen e Fondit të Ballkanit Perëndimor

26 Tetor 2016 - 13:56      

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, deklaroi sot para deputetëve të Kuvendit se Serbia duke ratifikuar Marrëveshjen mbi formimin e Fondit për Ballkanin Perëndimor nuk do të thotë se ka njohur pavarësinë e Kosovës, transmeton Koha.net raportimin e medieve të Beogradit.

Ai duke arsyetua këtë marrëveshje në Kuvend tha se Serbia nuk do të ndryshojë politikën e vet kur bëhet fjalë për Kosovën dhe se nuk do të njohë pavarësinë e “shtetit të vetëshpallur”, siç u shpreh Daçiq.

Sipas tij me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për formimin e Fondit, Kosova është shënjuar me yll dhe fusnotë dhe se kjo mënyrë e prezantimit të Kosovës është negociuar para disa vitesh dhe është mirë që kjo është respektuar.

“Mendoj se duhet ta kemi të qartë se Kosova është bërë anëtare organizatash të tjera të ndryshme ndërkombëtare pa yll e fusnotë dhe nëse mendoni se duhet të sulmohet kjo marrëveshje me yll e fusnotë, konsideroj se nuk duhet të ndodhë. Ajo është nënshkruar në bazë të dialogut me Prishtinën, që po zhvillohet gjatë gjithë këtyre viteve”, ka thënë Daçiq, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes, Serbia ka deponuar një deklaratë interpretuese me të cilën theksohet se “Kosova e Metohija është pjesë përbërëse e Serbisë”, se nuk po nënshkruhet marrëveshje ndërshtetërore dhe se ratifikimi nuk mund të interpretohet si njohje e Kosovës.

Sipas Daçiqit, qëllimi i Fondit është forcimi i bashkëpunimit përmes fushave të kulturës, arsimit, shkëmbimit të të rinjve dhe përmes zhvillimit të qëndrueshëm.

Nënshkrues të kësaj Marrëveshjeje janë Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Serbi dhe Kosova.

Sipas raportimit të medieve të Beogradit, derisa Daçiq po fliste, deputetët e opozitës hidhnin fjalë nga vendi, për ç’arsye kryetarja e Kuvendit të Serbisë është detyruar të japë një pushim të shkurtër. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...