BB konstaton përmirësim në të bërit biznes në Kosovë

26 Tetor 2016 - 09:25      

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes një njoftimi për media, ka publikuar raportin e Bankës Botërore (BB) për të “Bërit Biznes 2017” të publikuar më 25 tetor 2016, dhe thotë se konfirmon progresin e arritur nga Republika e Kosovës në përmirësimin e mjedisit afarist, duke ngritur rangimin e saj botëror në vendin e 60-të nga vendi i 64-të sa është ranguar me revidimin e raportit të mëparshëm (rikujtojmë se raporti zyrtar i BB për “Të Bërit Biznes 2016” Kosovën e kishte ranguar në vendin e 66-të).

Dhjetë indikatorët e Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes vlerësojnë qeverisjen dhe lehtësinë e të bërit biznes në një mori të fushave ligjore, rregullatore dhe operacionale.

“Kosova ka shënuar progres në disa indikatorë. Në veçanti është bërë progres i konsiderueshëm në indikatorët për: Fillimin e një Biznesi (nga vendi i 27-të në vendin e 13-të në botë), Pagimin e Tatimeve(nga vendi i 77-të në vendin e 43-të në botë); dhe Tregtia Përtej Kufijve(nga vendi i 59-të në vendin e 51-të në botë)”, thotë MTI duke iu referuar raportit të BB-së.

“Ky përmirësim është arritur kryesisht përmes shkurtimit të afateve, procedurave dhe kërkesave për regjistrimin e bizneseve pranë Agjencisë së Kosovës për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), funksonalizimin e sistemit elektronik të pagimit të tatimeve pranë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe funksionalizimit të sistemit ASYCUDA nga Doganat e Kosovës”, theksohet më tej në komunikatën e MTI-së.

Këto përmirësime, sipas kësaj ministrie, janë rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës, përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe Task Forcës për të Bërit Biznes që udhëhiqet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) si dhe grupeve punuese të specializuara për secilin nga dhjetë indikatorët e Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes që udhëhiqen nga ministritë përgjegjëse për fushat përkatëse.

“Përveç përmirësimit të rangimit botërore në indikatorët përkatës, përmirësimet në këta indikatorë janë ngushtë të ndërlidhur me reduktimin e korrupsionit, prosperitetin ekonomik si dhe efikasitetin e përgjithshëm në qeverisje. Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me qytetarët dhe bizneset si dhe me mbështetjen e donatorëve partner në këtë proces, duke përfshirë Bankën Botërore dhe Programin e USAID Partneritetet për Zhvillim, do të vazhdojnë të fokusohen në reforma më të thella dhe më gjithëpërfshirëse në të ardhmen, duke përdorur rezultatet nga Raporti i Bankës Botërore për të Bërit Biznes 2017 si platformë për përmirësim të mëtutjeshëm”, potencon MTI.

Qeveria e Kosovës inkurajon të gjithë respodentët por edhe qytetarët e interesuar të marrin pjesë në anketat e të Bërit Biznes nga Banka Botërore që janë burim i rëndësishëm i informacionit gjatë përgatitjes së Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes, në mënyrë që të ndihmojnë qeverinë në vlerësimin e performancës së saj, verifikimin e reformave si dhe rritjen e përgjithshme të sasisë dhe cilësisë së informatave në dispozicion të Bankës Botërore gjatë përgatitjes së Raportit për të Bërit Biznes në vitet e ardhshme.

Për më tepër informata, klikoni në linkun zyrtar të Bankës Botërore:

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...