Pantina: Lironi aktivistët tanë, në burg duhet të jenë Grabovci, Veseli, Mustafa e Thaçi

25 Tetor 2016 - 13:48      

Me shpalosjen e panos me mbishkrimin “Lironi të burgosurit politikë” dhe me brohoritje të parullës “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, filloi një aktivitet simbolik në afërsi të burgut të Pejës, ku po mbahet i burgosur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Haliti, i cili, sipas këtij subjekti politik, po mbahet atje padrejtësisht.

Përmes këtij aksioni, u kërkua lirimi i Egzonit si dhe i dy aktivistëve të tjerë që po mbahen në burgje të komunave tjera, Atdhe Arifit e Astrit Deharit.

Gjatë këtij aksioni, në fjalimin e saj, deputetja Shqipe Pantina foli për “padrejtësinë që po iu bëhet këtyre të rinjve nga një pushtet që ka instrumentalizuar organet e rendit dhe drejtësisë për të luftuar kundërshtarët politikë”.

“Egzoni, si dhe Atdheu e Astriti, padrejtësisht po mbahen në paraburgim. Egzoni nuk e ka vendin pas këtij muri. Vendi i tij është këtu në mesin tonë, si dhe në amfiteatër të Universitetit. Egzoni është student, është aktivist politik, si dhe asnjëherë nuk është terrorist. Prandaj ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tij, si dhe Atdheut e Astritit”, tha deputetja Pantina.

Pantina tha se “aty ku po mbahet Egzon Haliti duhet të jenë Adem Grabovci e klani “Pronto””.

“Aty duhet të jenë Kadri Veseli, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, që e kanë katandisur Kosovën në një vend me therra e gjemba”, shtoi ajo.

“Pa drejtësi nuk ka qetësi, dhe drejtësia nuk bëhet me Nuhi Ukën, Sali Mekajn e të ngjashëm. Dhe ne nuk do të ndalemi asnjëherë, derisa Kosovën ta bëjmë vend ku sundon drejtësia e mirëfilltë”, potencoi Pantina.

Vetëvendosje thotë se Egzon Haliti, Atdhe Arifi e Astrit Dehari po mbahen tash e 57 ditë në burg padrejtësisht, pa asnjë provë a fakt të vetëm.

“Regjimi autoritar përmes taktikave policore që pengon në vazhdimësi aktivitetin e Lëvizjes Vetëvendosje, me montime të ndryshme po ua mohon lirinë këtyre tre aktivistëve, si dhe Frashër Krasniqit, Adea Batushës e Petrit Ademit, që po ashtu mbahen në arrest shtëpiak. Ne do të vazhdojmë thirrjet tona për lirinë e tyre dhe për vendosje të drejtësisë, e cila do ta mbajë përgjegjës gjithë këtë organizim kriminal që ka kapur çdo pore të shtetit e shoqërisë sonë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...