Obama mbështet shqiptaren Suzana Shkreli

25 Tetor 2016 - 09:33      

Suzana Shkreli, kandidatura shqiptare për Kongresin në Shtetet e Bashkuara duket se po realizon ëndrrën amerikane. Asistente-prokurorja Shkreli ka marrë mbështetjen e Presidentit Barack Obama ndërsa kandidon për postin e përfaqësimit të zonës së Miçiganit në Kongres.

E para shqiptaro-amerikane që kandidon për një post të tillë, ajo u përshkrua nga shefi i Shtëpisë së Bardhë si një lidere e fortë dhe e zgjuar.

“Jam krenar të mbështes Suzana Shkrelin. Ajo ka aftësinë për të mbrojtur sigurimet shoqërore dhe ‘Medicare’. Ndaj në Kongres ajo do të jetë lloji i lideres që ne kemi nevojë për të krijuar një vend më të fortë, me të drejtë dhe më të ndershëm për të gjitha familjet punëtore. Të gjithë qytetarët e Miçigan duhet të besojnë tek Suzana Shkreli”, deklaroi Obama, transmeton Tch.

Obama gjithashtu shprehu besim se Shkreli do të luftojë për të mbrojtur të drejtën e gruas për të zgjedhur, dhe njëherësh do t’i japë fund barrës dërrmuese të kredive studentore.

Suzana Shkreli u shpreh se ndihej më shumë se e nderuar nga kjo mbështetje që ka marrë, dhe se Obama i ka dhënë zemër. Si demokrate , ajo shpreson të mundë republikanin Mike Bishop. Edhe pse fronti republikan prej vitesh ka dominuar në Miçigan analistët thonë se në përgjithësi fushata e Donald Trump mund të ndikojë jo vetëm në zgjedhjet presidenciale.

“Prishja e imazhit” prej tij mund të sjellë fitoren e përfaqësueses demokrate shqiptaro-amerikane Suzana Shkreli.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...