Meta: Raportet Shqipëri - Serbi ndikohen nga ato Kosovë - Serbi

24 Tetor 2016 - 21:11      

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka komentuar vizitën e Edi Ramës në Beograd, dhe polemikat që erdhën pas kësaj vizite në taborin shqiptar.

Në një intervistë për “Report TV”, ka thënë se raportet Shqipëri-Serbi, janë raporte midis dy vendeve, të cilat kanë një rol të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit, për perspektivën e tij europiane.

“Natyrisht që këto raporte edhe ndikohen, edhe kushtëzohen nga raportet e Serbisë me Kosovën, por ato nuk janë marrëdhënie, të cilat janë të fokusuara apo janë të kushtëzuara vetëm nga kjo çështje”, përcjell Koha.net,deklaratën që Rama e ka dhënë për ““5 pyetje nga Babaramo” në Report TV.

Nga intervista e plotë e cila u është dërguar medieve nga zyra e Metës, po e shkëpusim vetëm pjesën kur flet për këtë çështje.

Po aq polemika sa shkaktoi vizita juaj në Athinë, aq shkaktoi edhe vizita e kryeministrit dhe takimet që pati ai me homologun serb Vuçiç në Beograd dhe në Nish. Ju, si i shikoni këto polemika? I prisnit? Apo, për të qenë më i drejtpërdrejtë, a gaboi Rama në Beograd dhe në Nish?

Nuk kam qenë shumë i vëmendshëm për arsye se kjo vizitë ka ndodhur pak a shumë në të njëjtën kohë kur ishte edhe vizita ime në Greqi. Megjithatë mendoj se raportet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë më se normale, ashtu sikurse është e rëndësishme të kemi një koordinim të vazhdueshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos përsa i takon çështjeve, të cilat kanë të bëjnë me dialogun Kosovë- Serbi.

Sepse ne jemi mjaft të interesuar që ky dialog të përparojë, që marrëveshjet të zbatohen dhe, natyrisht, nëse ka polemika kjo është çështje e cila është e vështirë të evitohet, duke pasur në konsideratë se ende këto raporte shikohen me një sy të ndryshëm, do të thosha unë, nga faktorë të ndryshëm. E rëndësishme është të ecet përpara me dialog si në mes Shqipërisë dhe Serbisë, ashtu edhe midis Kosovës dhe Serbisë.
Në çdo rast dialogu Shqipëri-Kosovë mua më duket gjithmonë më i thjeshtë.

Ndërkohë kemi një deklaratë në këtë kontekst të kryetarit të shtetit shqiptar, z. Nishani, i cila tha se prioritetin dhe agjendën shqiptaro- serbe duhet ta përcaktojë Prishtina. Ju ndani të njëjtin shqetësim të tij, sepse është folur shumë gjatë kësaj jave që vizita dhe deklaratat e z. Rama e anashkaluan lidershipin e Kosovës, madje edhe vetë Kosovën...

Unë besoj se raportet Shqipëri-Serbi, janë raporte midis dy vendeve, të cilat kanë një rol të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit, për perspektivën e tij europiane. Natyrisht që këto raporte edhe ndikohen, edhe kushtëzohen nga raportet e Serbisë me Kosovën, por ato nuk janë marrëdhënie, të cilat janë të fokusuara apo janë të kushtëzuara vetëm nga kjo çështje.
Shqipëria dhe Serbia kanë angazhimet e tyre në shumë aspekte të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal, edhe si një kusht për integrimin evropian të të dyja vendeve, kështu që unë besoj se ka vend për një bashkëpunim akoma më aktiv midis Shqipërisë dhe Serbisë, ashtu sikurse ka vend për një dialog të vazhdueshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, që nuk lejon asnjë lloj keqkuptimi, qoftë edhe të krijuar nga mediet.

Si gjithnjë faji i medias...

Media, kuptohet, reflekton qëndrimin e politikanëve, qëndrimin e analistëve, qëndrimin e faktorëve të ndryshëm.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...