Përmbledhje e asaj që ndodhi sot në Gjykatën e Apelit për rastin “Drenica 2” [video]

24 Tetor 2016 - 19:05      

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Mitrovicës për 10 të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Drenica 2’ është vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Kjo gjykatë të hënën ka vërtetuar dënimin prej 6 vjetësh burgim për Isni Thaçin, Zeqir dhe Jahir Demakun, raporton KTV.

Dënimi prej 3 vjetësh burgim u është konfirmuar edhe Agim, Driton, Bashkim dhe Selman Demës, si dhe Fadil e Nexhat Demakut.

Derisa Apeli ka vendosur ta ndryshojë vendimin për ish- komandantin e UÇK-së, Sylejman Selimin, duke e ulur dënimin nga 8 në 7 vjet burgim.

Të gjithë të dënuarit ngarkoheshin me 2 pika të akuzës për krime lufte që, sipas aktakuzës, ndërlidhen me keqtrajtimin e të burgosurve në qendrën e paraburgimit në Likoc.

Por avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi, këtë vendim të Apelit po e quan skandaloz dhe të ndikuar politikisht.

Megjithatë, Gashi pret që në këtë rast drejtësinë ta vendosë Gjykata Supreme e Kosovës.

Ndërsa, avokati i Zeqir Demakut i dënuar me 6 vjet burgim, Bajram Tamava, përmes telefonit ka thënë se asnjëra nga gjykatat në asnjë pjesë të veprimeve procedurale nuk ka respektuar normat vendore dhe ndërkombëtare.

Tmava më tutje ka theksuar se do të kërkojë mbrojtje të ligjshmërisë për shkak të mangësive që ka gjetur në këtë lëndë.

Skandaloz dhe politik vendimin e Gjykatës së Apelit e konsideron edhe deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, i cili ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Supreme.

Derisa ai ka paralajmëruar se pas këtij vendimi do të ofrojë dorëheqjen e tij nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Sipas aktakuzës gjatë periudhës gusht -shtator të 98-ës ekzistonte një qendër ndalimi e UÇK-së në Likoc, ku sipas prokurorit, pjesëtarët e UÇK-së kishin kryer krime lufte kundër popullatës civile, mes tjerash, duke ushtruar qëllimshëm dhunë, trajtim mizor, rrahje, torturë dhe trajtim poshtërues dhe degradues ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës.


Përmbledhje e asaj që ndodhi sot në Gjykatën e... by kohanet
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...