Vendi do të duhej qëmoti të shkonte në zgjedhje, thotë Lekaj

24 Tetor 2016 - 18:32      

Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, subjekt ky opozitar në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se vendi është dashur të shkojë në zgjedhje shumë më herët se sa tash.

“Mendoj që ne e kemi marrë seriozisht këtë keqqeverisje të vendit, që shumë më herët është dashur të shkojë vendi në zgjedhje, sepse kemi shumë gjëra që kontestohen dhe janë të kontestueshme”, ka thënë Lekaj, për Radion Evropa e Lirë.

Një prononcim prej AAK-së, në lidhje me këtë çështje është dhënë edhe dje nga Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë dhe zëdhënës i partisë. Ai ka thënë se AAK-ja, duke marrë shkas nga zërat në rritje, duke përfshirë edhe ata të shumicës parlamentare, për zgjedhje të parakohshme, ka numëruar 10 arsye, pse Kosova do të duhej të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Nitaj thotë se këto arsye do të duhej ta bindnin edhe shumicën, se para së gjithash ajo ka nevojë më shumë se opozita që të shkohet në zgjedhje, transmeton Koha.net.

10 arsyet e Nitajt:

1. Pse Kosova është i vetmi vend në Ballkan që ka mbetur pa liberalizimin e vizave dhe fajtori për këtë është Qeveria e askush tjetër;

2. Pse Kosova është me shkallën më të lartë të korrupsionit në gjithë Evropën, dhe për këtë përgjegjëse është, ekskluzivisht Qeveria!

3. Pse kjo Qeveri i ka bërë dy gabime të rënda, kur i ka nënshkruar dy marrëveshje, Asociacionin, të vlerësuar antikushtetuese dhe Demarkacionin, me të cilin e ka rrezikuar tërësinë territoriale të Kosovës, me çka ka shkaktuar krizë politike në vend.

4. Pse Qeveria, edhe duke e pasur shumicën absolute në Kuvend, nuk ka mundur ta kalojë transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.

5. Pse Qeveria nuk ka mundur të bëjë, pothuaj asgjë në integrimin e veriut të Kosovës.

6. Pse premtimet për çfarë i ka fituar zgjedhjet, nuk i ka përmbushur as 10 për qind.

7. Pse Qeveria ka qenë armiqësore ndaj Opozitës edhe i duke i përndjekur e arrestuar deputetët e saj.

8. Pse Qeveria me marrëveshjet e saj, ka provokuar që Kuvendi i Kosovës të shndërrohet në arenë përplasjesh me gaz lotsjellës e me polici.

9. Pse partnerët e Koalicionit Qeverisës, asnjëherë nuk kanë funksionuar si një tërësi e vetme, por si dy pjesë e me dy shefa.

10. Më në fund për shkak të ndasive të mëdha politike, që kanë reflektuar edhe në popull, e të cilat janë provokuar nga veprimet e kësaj Qeverie.

“Këto janë vetëm disa prej arsyeve, pse Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme ose të parakohshme. Prandaj edhe zërat që vijnë nga shumica për zgjedhje, sado që sot janë më të rrallë, janë reflektim, për domosdoshmërinë e tyre, për tu kapërcyer situata e krijuar”, ka thënë Nitaj në një letër dërguar medieve.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...