Foto: Koha / arkiv

Deklaratat e Veselit për zgjedhje të parakohshme, Selimi i quan “futkotizma”

24 Tetor 2016 - 18:09      

Kryetari i PDK-së, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka lëshuar këto ditë deklarata që tregojnë sinjale të mundshme për përafrim me partitë opozitare aq sa ka përmendur edhe zgjedhje të parakohshme në vend, për të cilat ai tha se nuk bëhet kiameti nëse ndodhin.

Ndërkohë, Veseli sot tha se për të diskutuar rreth proceseve në vend dhe gjetjen e zgjidhjeve për problemet e njohura tashmë, është duke u munduar që të përafrojë qëndrimet edhe me partitë opozitare.

Megjithatë, i pari i PDK-së në deklaratat e sotme nga njëra anë tregoi se mund të ketë përafrim me opozitën, ndërkohë nga ana tjetër tha se nëse opozita mbetet me qëndrime të tilla, atëherë në pozicion të tillë do të jetë edhe për 50 vjet.

Se Veseli nuk e ka seriozisht me çfarë po thotë dhe se këtë e tregon më së miri se si ai nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim, e thotë një prej personaliteteve kryesore të partisë më të madhe opozitare në vend, Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Në një deklarim për KosovaPress, Selimi tha se deklaratat e sotme të Veselit janë gënjeshtra dhe se ai ‘po ia fut kot’.

“Veseli po gënjen, nuk është e vërtet se është në përpjekje për të gjetur një zgjidhje me opozitën. Nëse e konsideron Lëvizjen Vetëvendosje opozitë, Veseli me VV nuk ka asnjë kontakt tjetër përveç asaj që ka në seanca plenare në Kuvend të Kosovës. Kështu që ja ka fut kot. Po duket se pushteti ka nisur të taktizojë sa i përket zgjedhjeve të parakohshme. Ajo nuk do të duhej të taktizonte as të fut këtë çështje në rrugë konspirative, por do të duhej të reflektonte sidomos nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ku Qeverinë e Kosovës e konsideron shkelës të kushtetutës me 23 nene të saja. Prandaj, krejt ajo çka po ndodhë tash me prapaskenat e pushtetit, është që ata po bëjnë veprime taktike më shumë se qëndrime politike”, tha deputeti i VV-së, Rexhep Selimi.

Ai thotë se duke mos iu besuar në vazhdimësi asaj se çfarë partitë në pushtet deklarojnë, nuk dëshiron t’i besoi as asaj çfarë po thotë këtyre ditëve edhe Kadri Veseli. Mbi të gjitha, sipas Rexhep Selimit, nuk ka nevojë të ketë marrëveshje për asnjë gjë me pushtetin. Ai tha se Kosova ka nevojë të shkojë në zgjedhje dhe VV janë të gatshëm për këtë, por jo edhe partitë e koalicionit qeverisës.

“Ne nuk kemi nevojë të merremi vesh për asnjë gjë. Ne kemi nevojë të shkojmë në zgjedhje të merremi vesh me qytetarët jo me njëri tjetrin. Ne kemi qenë të gatshëm të shkojmë në zgjedhje qysh në fillim të mandatit, sepse kemi parë që këto rezultatet të zgjedhjeve kanë qenë të manipuluara, duke krijuar koalicion në mes të PDK-LDK-Lista serbe. Dhe prej atij momenti ne kemi kërkuar që vendi të shkoj në zgjedhje, ne në çdo moment jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje jo pse këtë kërkon pushteti, por këtë e kërkon interesi i qytetarëve të Republikës së Kosovës. Andaj, ne jemi të gatshëm që të shkojmë në zgjedhje gjithmonë, por e di që pushteti nuk është i gatshëm që të shkoj në zgjedhje”, tha Selimi.

Këto reagime vijnë pas deklaratave të sotme të Kadri Veselit, i cili pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se nuk do të bëhet kiameti edhe po të shkoj vendi në zgjedhje, por, kjo sipas tij, duhet të ndodhë me marrëveshje politike. Ai tutje tha se edhe opozita duhet të ndryshojë qëndrimet e saja, përndryshe si e tillë do të mbetet në opozitë edhe për 50 vjetët e ardhshme.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...