Foto: Ilustrim

Draft –deklarata për vizat në vend të Demarkacionit të enjten në Kuvend

24 Tetor 2016 - 13:30      

Kryesia e Kuvendit sot ka caktuar datën e mbajtjes së seancës së radhës të Kuvendit të Kosovës.

Seanca do të mbahet të enjten me fillim në ora 10:00, më 27 tetor, dhe në të pikë kryesore e rendit të ditës pritet të jetë draft –deklarata për vizat e hartuar nga partitë parlamentare të premten e shkuar, transmeton Koha.net.

Me këtë draft - deklaratë kërkohet nga BE që liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës të bëhet pa kushte.

Draft – deklarata për vizat mendohet të jetë një “time out” për krerët e Kosovës para ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi që përshkruhet të jetë njëri nga kushtet kryesore të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Partitë opozitare e kundërshtojnë miratimin e kësaj marrëveshjeje me pretendimin se ajo dëmton territorin e Kosovës për 8 mijë hektarë tokë.

Në ndërkohë, kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka paralajmëruar takime e biseda me opozitarët për të harmonizuar qëndrimet rreth Marrëveshjes së demarkacionit të cilën vetë Mustafa e kishte tërhequr nga rendi i ditës së Kuvendit me frikën se do të dështonte miratimi i saj.

Në seancën e të enjtes, pas pikave te zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, do të shqyrtohet draft-Deklarata e Kuvendit për liberalizim të vizave. Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e projektligjeve. Kështu, për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për faljen e borxheve publike.

Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen tri projektligje: Projektligji për kamatvonesat në transaksionet tregtare, Projektligji për shërbimin mjekësor emergjent, si dhe Projektligji për profesionet e rregulluara në Republikën e Kosovës. Më pas, pritet të bëhet emërimi i anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Me votim të fshehtë, pritet të zgjedhet një anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryesuesi i Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit, zëvendësdrejtori i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, si dhe një anëtar i Bordit të Komisionit të Pavarur për Media.

Në këtë seancë, do të formohet, gjithashtu, Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari në Bordin e Ankesave të Komisionit të Pavarur për Media, si dhe Komisioni Hetimor Parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Shqipe Pantina, mbështetur edhe nga tetë deputetë të tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me Radiotelevizionin e Kosovës.

Në fund të kësaj seance, do të zhvillohet debat parlamentar sipas kërkesës së deputetes Margarita Kadriut-Ukelli, mbështetur edhe nga nëntë deputetë të tjerë nënshkrues, lidhur me detyrimet e mundshme financiare të Kosovës për pretendimet e kompanive që kanë ushtruar padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...