Gazeta greke “Kathimerini”: Pas PDIU-së së çamëve fshihet Erdogan

23 Tetor 2016 - 19:04      

“Një parti e vogël...dhe pas saj Erdogani”. Ky është titulli i një artikulli të gazetës “Kathimerini” të së dielës, që analizon rolin e partisë së çamëve në Shqipëri, deklaratat e komisionerit Hahn, gjendjen politike në vend para zgjedhjeve parlamentare dhe ato për presidentin, si dhe minimin e marrëveshjes për kufirin detar midis Shqipërisë dhe Greqisë.

“Është paradoks - shkruan “Kathimerini”, - që një parti e vogël me 5 deputetë, por që pas saj fshihet gishti i Erdoganit, jep tonin në marrëdhëniet shqiptaro-greke në vitet e fundit, duke u bërë aleate në disa qeveri”.

Artikulli përshkruan gjendjen e krijuar në Parlamentin shqiptar pas vizitës së kryeparlamentarit Meta në Athinë.

Gjithashtu theksohet se, edhe ministri i Jashtëm Bushati, në të njëjtën seancë ka deklaruar se qeveria shqiptare mban lart në agjendën e saj çështjen çame dhe vetëm disa deputetë, si Dade, Meta dhe Dule, u përpoqën të bindin Parlamentin shqiptar se çështjet e pazgjidhura midis dy vendeve kërkojnë edhe një klimë të mirë në marrëdhëniet dypalëshe, që do t’i shërbejë edhe ecurisë europiane të Shqipërisë.

“Kathimerini” përmend se, edhe ish-kryeministri Berisha ka lënë të nënkuptohet në Parlament se, pas prishjes së marrëveshjes së detit qëndron një forcë e tretë, e cila është Turqia. “Kathimerini” ka intervistuar edhe anëtarin tjetër të PDIU-së, Tahir Muhedinin, që ka folur me urrejtje për ushtarët e Zervës, për miqësinë me ortodoksët vendas para dëbimit, për organizimin e partisë prej viteve ’90 e deri më sot, kur numërohen mbi 320 mijë çamë në të gjithë vendin, pavarësisht se sipas historisë - siç thotë ai, - rreth 20 mijë kanë qenë ata që kanë ardhur në vitin 1944.

Duke iu përgjigjur pyetjes se ku i gjen fondet për aktivitete kaq të mëdha brenda dhe jashtë vendit, një parti e vogël si PDIU-ja, ai përgjigjet se “ajo mbështetet nga biznesmenë të fuqishëm”.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...