LB: Kosova duhet të merret me probleme reale, jo me ato të paqena

23 Tetor 2016 - 17:37      

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes për Bashkim, të mbajtur më 23 tetor 2016, përveç çështjeve organizative, u trajtua edhe situata politike në vend.

Lidhur me situatën politike, Këshilli i Përgjithshëm i LB-së konstatoi se Kosova vazhdon të gjendet në momente vendimtare për të ardhmen e saj.

“Problemet e pazgjidhura me Serbinë vazhdojnë ta mbajnë peng përparimin e saj në aspektin politik. Zhvillimi ekonomik vazhdon të mbetet sfidë e rëndë për vendin, sfidë e cila kërkon angazhimin e secilit prej nesh. Shqiptarët që kanë mbetur nën administrimin serb, maqedonas e malazias vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë. Përveç këtyre, ekzistojnë edhe një varg problemesh të tjera thelbësore me të cilat duhet të përballemi si shtet dhe si komb”, thuhet në deklaratën e kësaj partie.

Megjithatë, përkundër gjithë këtyre prioriteteve që LB-thotë se janë jetike për ne, ku do të duhej të përqendrohej tërë kapaciteti, shoqëria jonë sot përballet me debatet më absurde, më anakronike dhe më të dëmshme për të ardhmen e saj.
“Debate që nxisin përçarje midis shqiptarëve në vend të bashkimit të tyre. Debate që përpiqen të krijojnë pengesa të reja në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në vend të atyre që do të na ndihmonin t’i tejkalojmë ato të vjetrat”.

Lëvizja për Bashkim, duke e shprehur shqetësimin për rrjedhën e zhvillimeve lidhur me të ardhmen e Kosovës, u bën thirrje të gjithë faktorëve relevantë që kontributin e tyre ta orientojnë rreth problemeve reale me të cilat përballemi sot.
“Problemet e mbetura me Serbinë, deri në zgjidhjen e tyre, duhet të mbesin në krye të angazhimeve të secilit prej nesh. Subjekt i debateve tona, i të gjithë shqiptarëve andej e këndej kufirit, duhet të jetë gjetja e rrugës së vërtetë për ta zgjidhur këtë problem, e jo sajimi i problemeve të paqena”, thuhet në deklaratë.

Në anën tjetër, marrëdhëniet në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë duhet të thellohen gjithnjë e më shumë dhe në këtë fazë do të duhej të shkonin në drejtim të krijimit të mekanizmave të përbashkët institucionalë që do të kishin përgjegjësi jo vetëm të mbikëqyrjes së zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, por edhe të nismës së të rejave, si dhe të krijimit të politikave të përbashkëta në fushën e ekonomisë, arsimit, kulturës, mbrojtjes, politikës së jashtme etj., thuhet në deklaratë.
“Një bashkëpunim i tillë do të duhej domosdo të çonte drejt një politike të përbashkët ndaj rajonit dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve që jetojnë aty. Fuqizimi i këtyre marrëdhënieve e forcon sovranitetin e Kosovës”, thuhet më tej aty.

“I ftojmë mediat që të mos bëhen faktor nxitës në këtë fushatë, por të ndikojnë pozitivisht në trajtimin e problemeve reale të shoqërisë sonë. Në procesin e forcimit të sovranitetit të vet, Kosova vazhdon të mbetet peng jo i atyre që shprehin gatishmëri të na ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve, por i atyre që i kanë shkaktuar ato dhe e pengojnë zgjidhjen e tyre”.

Sipas LB-së, shqiptarët duhet të merren me armiqtë e pavarësisë së Kosovës, e jo të krijojnë armiq brenda vetes.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...