Foto: Koha

Qindra punëtorë të minierës së Goleshit në mëshirë të Kushtetueses

23 Tetor 2016 - 15:21      

Më 27 tetor të këtij viti bëhen dy vjet që nga dita kur qindra punëtorë dhe dhjetëra miliona euro investime u bllokuan si pasojë e ndërhyrjes së Policisë Speciale për të ndërprerë punën, dy ditë para se Miniera e Goleshit të fillojë prodhimin.

Me ndalimin e punës në minierë, përveç humbjeve të vendeve të punës, është dëmtuar edhe buxheti i shtetit, pasi për dy vjet të bllokimit të punës, përllogaritet që humbjet të jenë mbi 200 milionë euro, thotë Abedin Hazrollaj, kryetar i Sindikatës së ish punëtoreve të Minierës. Privatizimi nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka shkatërruar strukturën, ka shkatërruar bazën e ekonomisë kosovare, e cila ka qenë një ekonomi mjaftë e zhvilluar për atë kohë, deklaron Anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Blerim Grainca.

Gjykata Kushtetuese shumë shpejtë pritet ta bëjë publike vendimin për Minierën e Goleshit. Sipas përgjigjes zyrtare të Gjykatës Kushtetuese të dhënë për KosovaPress, thuhet se lënda për këtë rast është shqyrtuar dhe se vendimi është në fazën përgatitore për publikim.

“Kjo lëndë tashmë është shqyrtuar dhe vendimi është në fazën përgatitore për publikim. Sapo të jetë i gatshëm, vendimi do t’u komunikohet të gjitha palëve të përfshira në rast dhe i njëjti do të publikohet edhe në ueb-faqen e Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Në janar të këtij viti ish blerësi i MIM Goleshit, Hysni Zogaj, kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese kthimin e aksioneve të MIM Goleshit, nga AKP-ja.

Bordi i AKP-së, në shtator të vitit 2014, disa muaj para se t’i skadojë afati i përmbushjes së zotimeve, ka marrë vendim që kjo minierë e privatizuar me metodën e spin off-it special të kthehet nën menaxhimin e AKP-së.

Por, ish-blerësi, Hysni Zogaj, në vazhdimësi e ka kundërshtuar vendimin e bordit të AKP-së, pasi sipas tij vlera e investimeve është tejkaluar. Megjithatë, vendimi i Bordit të AKP-së për tërheqje të aksioneve është vlerësuar i drejtë edhe nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila kishte refuzuar ankesën e ish blerësit.

Zogaj e ka akuzuar AKP-në se e ka furnizuar edhe Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme me informata të gabuara, ku sipas tij, për këtë ka edhe fakte.

Në raportin e vitit 2012 dhe 2013-të, AKP ka raportuar në Kuvend të dhënat se në Minierën e Goleshit janë investuar mbi 13 milionë euro (shih dokumentet).

Ndërsa në vitin 2014 e njëjta raporton se janë investuar vetëm 300 mijë euro, ka thënë Zogaj. (shih dokumentin më poshtë)

Por sipas Zogajt, kjo nuk është e tëra, pasi sipas të dhënave që AKP-ja i ka dhënë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për numrin e të punësuarve thuhet se blerësi i ka punësuar 1 mijë e 800 punëtorë, e që sipas kontratës është dashur të punësoj 14 mijë e 400 punëtorë. Ku sipas deklarimeve të Zogajt, asnjë nga këto të dhëna nuk janë të sakta, pasi sipas tij në bazë të kontratës duhet të punësohen 355 punëtorë (shih dokumentin më lartë). Ndërsa vlera e investimeve, sipas Zogajt, nga 16 milionë sa ka qenë e paraparë me kontratë të investohen, janë investuar mbi 22 milionë euro.

Gjendja e sotme e Minierës është shumë e keqe, dhe është duke u dëmtuar makineria sepse momentalisht janë të angazhuar nga AKP vetëm 20 punëtorë.

Abedin Hazrollaj, kryetar i Sindikatës së ish punëtoreve të Minierës, tregon për KosovaPress se si punëtorët e kësaj zone kanë mbetur pa punë dhe pa shpresë. Madje sipas tij, shumica prej tyre tashmë kanë lënë Kosovën për të kërkuar punë dhe jetë më të mirë në shtetet e Evropës. Hazrollaj bënë apel që sa më parë t’i kthehet nami i dikurshëm minierës dhe të vazhdojë me punë.

“Vendimi që e ka marrë Agjencia për Magurën dhe banorët në fjalë dhe për rrethinën ka qenë shumë i rëndë. Sepse kjo Minierë faktikisht ka qenë perspektiva dhe jeta jonë... Për fat të keq jetën po e dirigjon politika, politika me plotë përgjegjësi po e them është fajtorja kryesorja për gjendjen aktuale që jemi. Besojmë që Gjykata do të marr një vendim të drejt. Na çka kishim dëshiruar është që vendimi të anulohet dhe të formohet një Komision i veçantë dhe le të vije dhe le ta vlerëson. Janë përmbush apo nuk janë përmbush investimet. Unë me plotë përgjegjësi po e themi këtu janë nevojit vetëm 24 orë me fillua prodhimi... Edhe me ardh Policia edhe me të thënë del prej vendit të punës është logjikisht e pa kapshme , mirëpo tek ne ndodh çdo gjë”, tha Hazrollaj.

Hazrollaj ka treguar se si me ndërprerjen e punës në minierë, përveç humbjeve të vendeve të punës, është dëmtuar edhe buxheti i shtetit, pasi për dy vite të bllokimit të punës përllogaritet që humbjet të jenë mbi 200 milionë euro.

Kurse anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, Blerim Grainca, thotë se interes dhe prioritet i institucioneve të Republikës së Kosovës janë rritja e trendit të investimeve në vend, qofshin ato të investitorëve vendor apo edhe të huaj.

“Në të kaluarën por edhe në të tashmen investitorët janë ballafaquar me probleme të caktuara dhe të ndryshme. E që kanë qenë, burokratike të mos funksionimit të mirë të institucioneve tona, apo endjes së investitorëve nga një zyrë në tjetrën deri tek problemet e natyrave të tjera që kanë qenë të natyrave teknike me të cilat ata janë ballafaquar... Tretmani ndaj investitorëve të huaj duhet të jetë në nivel më të lartë. Askush nuk vjen me investua në Kosovë pse ne jemi njerëz të mirë apo jemi të veçantë nga të tjerët. Investitori e shikon interesin financiar, përfitimin”, tha Grainca.

Ndërsa ka shtuar se procesi i privatizimit në përgjithësi është përcjell me parregullsi të mëdha.

“Personalisht mendoj se procesi i privatizimit është përcjell me parregullsi. Parregullsitë të natyrave të ndryshme që nga forma e privatizimit që është zgjedh, sepse është një privatizim që ka shkatërruar strukturën , ka shkatërruar bazën e ekonomie kosovarë e cila ka qenë një ekonomi mjaftë e zhvilluar për atë kohë. Kurse më vonë sa i përket trajtimit të investitorëve mendoj se nuk ka qenë një korrektësi e dyanshme . Edhe nga Agjencioni i Privatizimit në raport me investitorët vendor dhe të huaj”, tha ai.

MIM Goleshi ishte privatizuar përmes metodës ‘Spin-off special’ në fund të vitit 2007. Blerësi ishte zotuar se do t’i punësojë 40 vetë në gjashtë muajt e parë, afro 180 në fund të gjashtë muajve, 355 deri në fund të vitit të parë dhe 355 punëmarrës të mbahen edhe për një vit.

Afati i fundit ishte shtyrë për shkak të vonesave të AKP-së, deri në fund të muajt nëntor të vitit 2015-të. Por në gushtë të vitit 2014-të, ditën e fundit të skadimit të afatit të bordit të AKP-së (ditë e diel), bordi merr vendim për tërheqjen e aksioneve 17 muaj para afatit te dhënë po nga ky bord ndërsa dy ditë para përurimit të Minierës dhe fillimit të punës, me 27 tetor 2014-ës Policia Speciale e bllokon Minierën duke larguar punëtorët dhe ndërprerë punën.

AKP gjatë kësaj kohe i kishte refuzuar blerësit edhe një kredi për prej 112 milionë euro nga banka sllovene më çka kjo Minierë planifikonte të rrisë numrin në 700 punëtorë brenda një kohe të shkurtër.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...