Foto: Koha

Thaçi: Vonesat e BE-së dhe NATO-s në integrimin e Ballkanit krijojnë hapësirë për ideologji të rrezikshme

23 Tetor 2016 - 12:25      

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në seminarin e 93-të Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila po i zhvillon punimet në Prishtinë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Ai me këtë rast ka thënë se Kosova është një rast i mirë për të mësuar leksione të rëndësishme për bashkësinë ndërkombëtare.

“Kosova më nuk është burim i jostabilitetit, por përkundrazi është eksportues i paqes dhe dialogut. Kjo e bën Kosovën mundësi të mirë për të mësuar për rastet e ngjashme nga e tërë bota”, ka thënë Thaçi.

Para 17 viteve, Thaçi ka thënë se Kosova ishte një vend i sapo dalë nga lufta, nga përpjekja për gjenocid, nga një dekadë e represionit dhe aparteidit shtetëror serb dhe nga dekada të tëra të diskriminimit.

“Por, në ato ditë të rënda ishte bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht NATO, që u vunë në krye të rivendosjes së paqes dhe qetësisë në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e pritën krahëhapur forcën paqeruajtëse KFOR, të kryesuar nga NATO dhe misionin e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ai.

Një mësim tjetër i atyre ditëve të menjëhershme të pas luftës, sipas tij është i vlefshëm dhe një prej sfidave të mëdha me të cilat po përballet sot Evropa dhe Aleanca Veri-Atlantike është edhe çështja e refugjatëve.

“Me përfundimin e luftës dhe vendosjen e paqes, rreth një milion njerëz nuk pritën as UNHCR-në, as ndonjë agjenci tjetër, por u kthyen vetë në shtëpitë e tyre. Nuk u pengonte që i kishin shtëpitë e shkatërruara, që ekonomia ishte rrënuar, që institucionet e shtetit duhej ndërtuar prej zeros. Me rëndësi kishin paqe, ndonëse ende e rëndë, si dhe garanci për siguri dhe stabilitetit, që ishte NATO. Edhe sot kur shohim valët e refugjatëve, duhet të angazhohemi që të krijojmë paqe dhe stabilitet për ta”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, ata nuk dëshirojnë asgjë më shumë se sa të kthehen në shtëpitë e tyre, të kenë paqe, të kenë stabilitet, sepse shtëpitë e shkatërruara, shtetin e shkatërruar, do ta ndërtojnë përsëri, siç kemi bërë ne në Kosovë.

Ai më tutje ka shtuar se para një viti kemi arritur të nënshkruajmë edhe Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me BE-në.

“Kjo erdhi si rezultat i reformave të shpejta dhe të suksesshme në instalimin e rendit dhe ligjit, në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në shtrimin e bazave të një ekonomie të lirë”, ka thënë ai.

Duke folur për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Thaçi ka kërkuar që dialogu të ngritët në një nivel tjetër, të marrë një kualitet tjetër.

“Jemi të gatshëm për një proces të mirëfilltë të bashkëpunimit, të marrëdhënieve miqësore dhe të pajtimit. Nuk kemi pasur asnjëherë rast më të mirë, si Kosovë, si Serbi dhe si rajon, se sa muajt në vijim, që të vëmë në binarë të sigurt bashkëpunimin tonë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se falë përkushtimit për dialog dhe bashkëpunim, sot marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë më nuk janë kërcënim për stabilitetin në rajon, por janë shembull i fuqisë që nëpërmjet dialogut të kthehemi nga e ardhmja më e mirë për të gjithë.

“Kemi ndërtuar institucione shumetnike në të cilat janë të përfaqësuar të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Thaçi.

Madje, sipas tij, edhe ata që dikur qëndronin në barrikada në pjesën veriore të Kosovës e madje sulmonin edhe trupat paqeruajtëse të KFOR-it dhe NATO-s, sot janë pjesë e institucioneve shtetërore të Kosovës, në Parlament, në Qeveri, në qeverisje lokale ku angazhohen për të drejtat e komunitetit të tyre.

“Me këtë frymë të bashkëpunimit për të ardhme më të mirë për Kosovën, po punojmë edhe për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Dëshirojmë që vendimi për themelimin e Armatës së Kosovës të ketë miratimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Përvoja që kemi me Forcën e Sigurisë së Kosovës, që e kemi tani, na bën të jemi optimistë për këtë ambicie”, është shprehur Thaçi.

Forca e Armatosur e Kosovës, sipas tij do të jetë një hap tjetër i madh në rrugën tonë në aspiratën për t’u bërë anëtarë të NATO-s dhe të BE-së.

“E kuptojmë që sot BE nuk e ka mendjen tek zgjerimi. Kriza financiare, vala e refugjatëve, BREXIT janë tema që kanë tërhequr vëmendjen e Brukselit nga Ballkani Perëndimor. Por, vonesa e BE-së dhe e NATO-s që të afrojë afër vetes rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk do të lë thjeshtë një vakum. Ideologji tjera, nga kontinente tjera, me agjenda tjera për botën, po përpiqen të depërtojnë në rajonin tonë. Këto mezi presin të mbushin vakuumin që do të lë vonesa e BE-së dhe NATO-s”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se është qenësore për rajonin, por edhe për vetë BE-në, për NATO-n, për kontinentin, që mos të vonohemi në proceset integruese të rajonit në NATO dhe në BE.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...