Foto: Koha / arkiv

Mustafa: A do të ndryshonte mendimin për demarkacion kjo opozitë në rast të hyrjes në pushtet

22 Tetor 2016 - 22:50      

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Mustafa, thotë se deklarata e kryeparlamentarit Kadri Veseli dhënë gazetës “Koha Ditore” në lidhje me zgjedhjet, nuk është asgjë e re.

Madje ai thotë se është interpretuar “në mënyrë ekstenzive dhe pak a shumë jashtë kontekstit”.

“Është e saktë se me marrëveshje të partive politike dhe Grupeve Parlamentare mund të shpërndahet Kuvendi dhe të shpallen zgjedhjet”, thotë Mustafa, raporton Koha.net.

Por, ai ngre një dilemë tjetër rreth çështjes së zgjedhjeve të parakohshme dhe rezultateve të mundshme të tyre.

“Nuk është e qartë se pse kjo automatikisht do ta zgjidhte problemin me demarkacionin? A do të thotë kjo se një, dy ose me shumë parti që tashmë janë në opozitë, me të hyrë në pushtet do ta ndërronin mendimin dhe do të votonin pro demarkacionit që tash e kundërshtojnë?(!)”, pyeti profesori Mustafa.

Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, kryeparlamentari Veseli ka thënë se “nuk është fundi i botës nëse nesër del një opsion me marrëveshje politike në mes të kampit të pozitës dhe opozitës që të shkohet në zgjedhje dhe të kemi normalitet”.

“Pyetjes suaj rreth luftës politike, a duhet të shkojmë në zgjedhje - kjo është një çështje krejt tjetër, e cila nëse nuk e ka këtë kushtëzimin e vet, etiketimet e të qenit tradhtar, etiketimet e të qenit antikombëtar, etiketimet që kanë të bëjnë më tepër me çështje verbale patriotike – e ka normalitetin e vet. Pse të mos mendojmë për opsione që kanë të bëjnë me zgjidhshmëri. Ne nuk e kemi të drejtën e referendumin, e cila do të na largonte shumë nga barra për çështjet që sot kanë të bëjnë me kontestet ndërmjet nesh. Kur një parti e vogël, e treta në nivel të Kosovës, flet në nivel të gjithë Kosovës dhe thotë se duhet shkuar në referendum, këtë nuk e parashikon Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Por ne ecim ngadalë, me normalitet, me pjekuri përpara në rrugëtimet drejt zhvillimit. Nuk është fundi i botës nëse nesër del një opsion me marrëveshje politike në mes të kampit të pozitës dhe opozitës që të shkohet në zgjedhje dhe të kemi normalitet”, ka deklaruar Veseli në pjesën e parë të intervistës të botuar sot në “Koha Ditore”. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...