Çka thotë Veseli për Asociacionin në intervistën e sotme për “Kohën Ditore”

22 Tetor 2016 - 16:02      

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, në intervistën që ka dhënë për Kohën Ditore ka folur ndër të tjera edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ka thënë se Kosova ka marrë disa obligime të cilat rrjedhin nga shpallja e pavarësisë të Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008, e në kuadër të të cilave shumë mirë parashihet edhe çështja e Asociacionit të komunave, i cili nuk do të ketë pushtet ekzekutiv.

Veseli ka thënë se lëshimet të cilat i ka bërë qeveria ia ka përmirësuar në mënyrë të jashtëzakonshme Gjykata Kushtetuese dhe e kemi një situatë tërësisht të qartë për çështjen e Asociacionit.

Më poshtë mund të gjeni një pjesë të intervistës së Kadri Veselit për Kohën Ditore, ndërsa intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës.

KD: Pse është negociuar atëherë Asociacioni, në rast se ka qenë i paraparë me pakon e Ahtisarit?

Veseli: Keni parasysh rrethanat në të cilat është shpallur Kosova Republikë e pavarur dhe sovrane, largimin e pjesës politike të serbëve nga akti i shpalljes së pavarësisë. Krejt përpjekja jonë, të cilën po e bëjmë, konsiston me atë marrëveshje politike, me atë partneritet ndërkombëtar, me atë vendim të Gjykatës ndërkombëtare në Hagë për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës si akt legjitim, akt legal ndërkombëtar që po i respekton Kosova principet e të qenit një shtet çfarë dhe e kemi shpallur. Asgjë e re nuk është duke ndodhur. Ju e përmendët çështjen e Asociacionit. Asociacioni është paraparë me pakon e Ahtisarit, mbi të cilën e kemi shpallur Kosovën shtet sovran.

KD: Gjykata Kushtetuese vlerësoi së fundmi se marrëveshja e nënshkruar para një viti nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën.

Veseli: Pikërisht kjo është pozitivja e funksionalitetit të këtij shteti. Pikërisht kjo është ajo pse ne kemi dilema ndërmjet vete...

KD: Po, por kjo do të thotë se dikush ka nënshkruar diçka që është në kundërshtim edhe me pakon e Ahtisarit e edhe me Kushtetutën!

Veseli: Po insistoni me kokëfortësi që të dalim kundër një qëndrimi...

KD: Jo, jo unë nuk po insistoj...

Veseli: Lëshimet të cilat i ka bërë qeveria ia ka përmirësuar në mënyrë të jashtëzakonshme Gjykata Kushtetuese dhe e kemi një situatë tërësisht të qartë për çështjen e Asociacionit. Kushtetuta e Republikës së Kosovës do të respektohet me përpikëri, nuk do të ketë Asociacion të Komunave serbe të cilat do të mund të krijojnë një etnitet paralel me Republikën e Kosovës, nuk do të ketë kompetenca ekzekutive të pushtetit të ri, kjo është shumë e qartë. Kushtetuta e ka thënë dhe ky është rrugëtimi ynë. Çështja e demarkacionit është njëjtë. Ne duhet të ecim sa më shpejt, të mos hapim dilema të çështjes së sovranitetit dhe kufijve tanë. Kosova nuk është ngatërrestari i Ballkanit, nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve të tjera. Dëshiron t’i respektohet integriteti territorial. Edhe kjo është një çështje në të cilën po ngrihemi...

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...