Vetëvendosje për Nuhi Ukën: Vendim politik i shkruar nga “Pronto” e i miratuar nga EULEX-i

21 Tetor 2016 - 18:51      

Lirimi i ish kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, mbi të cilin rëndonin akuza për krim të organizuar me disa të pandehur të tjerë, për lëvizjen Vetëvendosje tregon edhe një herë për gjendjen jashtëzakonisht të keqe të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Shpallja e tij si i pafajshëm, duke u liruar nga njëra akuzë teksa të tjerat i ishin vjetruar, është dëshmia me e mirë që ky sistem është komplet i kriminalizuar dhe udhëhiqet nga kokat e krimit të klanit ‘Pronto’, në bashkëpunim me misionin ndërkombëtar EULEX, i cili nuk shprehu asnjëherë gatishmëri për të luftuar krimin. E për më keq, EULEX që nuk preku asnjëherë majat e krimit në Kosovë, u korruptua edhe vetë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes në lidhje me këtë rast.

Në reagim thuhet se Uka akuzohej si drejtues i një grupi të organizuar kriminal, të cilët kishin kryer krime të ndryshme. Ai akuzohet edhe për shkelje ligjore, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, si dhe për keqpërdorim të ish pronave shoqërore në Çagllavicë e Llapnasellë, bashkë me ish-deputetin e PDK-së Azem Syla.
“Dhe pikërisht lirimi i tij vjen si pasojë e afërsisë me klanin ‘Pronto’, që është pasqyrë e qartë e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, të cilët veprojnë lirshëm para EULEX-it, mision ky që premtonte rend, ligj e drejtësi”, thuhet më tej në reagim.

“Siç u bë e ditur, bashkë me Ukën dhe të tjerë, në këtë proces gjyqësor akuzohej edhe Fehmi Havolli, eksperti i gjeodezisë në Komunën e Prishtinës, akuza ndaj të cilit u hodh poshtë po ashtu për shkak të vjetërsisë së lëndës. Ndryshe, Fatmir Havolli është mik (vëllai i gruas) i Ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hysenit, dhe kjo flet qartazi që krerët e ekzekutivit të shtetit e kanë orientuar aktivitetin e tyre vetëm në mbrojtje të kriminelëve, qoftë për shkak të afërsisë familjare, qoftë përkatësisë partiake, apo lidhjeve tjera biznesore”.

Në anën tjetër, sipas partisë më të madhe opozitare në vend, “pa asnjë provë a fakt vazhdojnë të mbahen në burg gjashtë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, me raste të montuara për veprime terroriste”.
“Ky pushtet që ka kapur çdo institucion, dhe lufton këdo që synon çlirimin e këtyre institucioneve, çrrënjoset vetëm me angazhimin qytetar. Është pikërisht ‘drejtësia’ e klanit Pronto ajo që ka kushtëzuar humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë, dhe pengesa kryesore për zhvillimin e shtetit, sovranizimin e Republikës dhe mirëqenien e barazinë për qytetarët”, thuhet në reagimin e LVV-së. “Ky rast shpërfaq edhe dështimin e EULEX-it si mision, për çfarë Lëvizja Vetëvendosje! ka paralajmëruar me vendosjen e tij në Kosovë, EULEX, që nuk u mor as me krimet e strukturave të Serbisë përgjatë këtyre 14 viteve të pasluftës në veri të Ibrit, nuk po merret as me krimet e klanit ‘Pronto’. Madje është shndërruar në bashkëpunëtor të zellshëm të tyre. EULEX nuk solli ligj e drejtësi, por vetëm shkelje të ligjit e padrejtësi”, thuhet më tej aty.

Lëvizja Vetëvendosje përveç se shpreh shqetësimin e saj dhe kundërshton një vendim të këtillë, sipas saj, “kryekëput politik dhe të shkruar nga kriminelët e klanit ‘Pronto’”, për ta pranuar më pas EULEX-i”.
“Drejtësia nuk është e pamundur, zhvillimi e fuqizimi i shtetit nuk janë të pamundura. Por me këtë rrjet të organizuar kriminal me pushtet politik e gjyqësorë ato po na mohohen vazhdimisht. Ndryshimi politik që e çrrënjos krimin është e vetmja rrugë përpara”.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...