Moisiu flet për deklaratat e Ramës në Beograd e për gjendjen në Kosovë

21 Tetor 2016 - 17:21      

Ish presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, mendon se ato që tha dhe bëri kryeministri Edi Rama në Beograd, duhet t’i bëjë çdo lider i rangut të tillë, i cili e ka për detyrë t’i mbrojë të drejtat e shqiptarëve kudo që ata jetojnë.

Deklaratat e tij, vijnë pas debateve të ashpra që janë hapur pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Beograd. Moisiu i tha KosovaPress-it se ato që ka deklaruar kreu i Qeverisë shqiptare nuk krijojnë probleme.

“Sipas asaj që gjykoj unë, ato që i tha Rama në Beograd nuk kanë asgjë dhe asnjë shprehje që të krijojnë probleme. Me sa mbaj mend unë, ai tha dy gjëra kryesore. E para që njohja e pavarësisë së Kosovës edhe Serbinë e lehtëson, e ndihmon. Dhe e dyta, tha se Trepçën nuk mund ta sjellim në Beograd, Trepça është atje ku është. Unë mendoj që çdo shqiptar e ka për detyrë që të mbrojë të drejtat e bashkëkombësve, të bashkatdhetarëve të tij”, ka thënë Moisiu. “Historia jonë, e shqiptarëve, ka qenë shumë e dhimbshme. Ne jemi dëmtuar dhe copëtuar nga të tjerët, ca me dashje ca pa dashje. Por ne të paktën do të bëjmë detyrën tonë. Nuk e arrijmë dot ta ribashkojmë vendin, për arsye që dihen, por disa drejtime mund të kryejmë, si në anën ekonomike, anën politike, anën kulturore. Këto gjëra ne duhet t’i bëjmë. Unë gjykoj që secili, sa herë që krijohet rasti dhe mundësia, duhet t’i dalë në mbrojtje njëri tjetrit”, tha ish presidenti i Shqipërisë.

Moisu tha se edhe ai gjatë vizitave në Beograd, gjatë kohës sa ishte president i Shqipërisë, kishte folur pothuajse të njëjtat gjëra në përmbajtje.

“Organizuam një takim në Serbi me të gjithë presidentët e rajonit. Në një konferencë shtypi në fund të takimit unë fola, jo si Rama se është 10 vjet më përpara, por të njëjta gjëra mund të them në përmbajtje”, tha Moisiu.

E sa i përket diskutimeve të ditëve të fundit rreth raporteve Kosovë – Shqipëri, bashkimit apo jo të dy shteteve shqiptare, Alfred Moisiu tha se bashkimi mes dy vendeve bëhet në shumë rrugë. Ndërsa kujton opinionin se bashkimi i nevojshëm ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka ecur si duhet.

“Bashkimi bëhet në shumë rrugë. Aktualisht bashkimi ekonomik nuk ka ecur ashtu siç duhet, duhet ecur më mirë. Kalon kufirin shikon maunat në radhë të gjata në dy krahët e kufirit. Është një gjë që nuk ia vlen. Edhe dje kur kalova kufirin tre-katër vetura ishin edhe qëndroja aty në posten kufitare, në kohë më tepër se sa duhet. Tani ke Evropën, ke Gjermaninë dhe Francën, që kanë qenë epiqendra të dy luftërave botërore në shekullin e kaluar, por tash e kalon kufirin e Gjermanisë dhe Francës dhe nuk e merr vesh që e ke kalu. Pse pak gjak është derdh atje?. Shkatërrime të pakrahasueshme! Politikanët e tyre, liderët e tyre nuk u morën me të kaluarën, por u morën me të ardhmen, me brezat e rinj. Kjo është Evropa. Mund të lëvizësh nga njëri krah në tjetrin, pa e ditur se ku është kufiri. Unë them gjatë takimeve të ndryshme me liderë ballkanas kam dëgjuar kur thonë të hyjmë në Evropë, në radhë të parë duhet të krijojmë një Shëngen të vogël ballkanik, të lëvizim lirshëm. Është arritur njëfarë lirshmërie. Për shembull tani nuk ka nevojë për pasaportë, duhet vetëm letërnjoftimi kjo është një hap i mirë. Unë mendoj që këtu duhet ecur. Nacionalizmat dhe shovinizmat janë penguese. Ato më shumë i vlejnë liderëve kryesor në vende të caktuara, për të ruajtur pushtetin e tyre personal dhe klaneve të tyre”, thotë ai.

Ish presidenti shqiptar tha se ka kritika për Bashkimin Evropian, i cili po përdor standarde të dyfishta kur është fjala për shqiptarët.

“Unë jam kritik ndaj Bashkimit Evropian, për arsye që i di vetë. BE po përdor standarde të dyfishta. Veriun e Mitrovicës po e trajton drejtë, në kuptimin e saj që serbet i gëzojnë të drejtat që i takojnë. Por kur vjen puna tek shqiptarët e Preshevës, as që nuk ndihet. Atëherë pse për serbet e Mitrovicës, duhet t’i kenë ato të drejta që i takojnë dhe të mos bëjë të njëjtën gjë edhe për shqiptarët tanë në Luginë të Preshevës. Pra unë jam i parimit që të drejtat ndërkombëtare duhet të jenë dhe të aplikohen për të gjithë njëlloj. Për çdo popull, për çdo komb kudo që ndodhet. Unë them që sigurisht që në Vjenë në marrëveshje me Ahtisarin janë bërë disa lëshime të dhimbshme. Në fund të fundit kur vjen një debat politik, duhet bëjnë lëshime nga dy krahët. Kjo është zgjidhje, nuk ka zgjidhje tjetër kur arrin në situatat të tilla. Sepse edhe ata që thonë tani që Kosova është djepi jonë, nuk e marr vesh fare, se mund të jetë djep Kosova për të tjerët. Kjo është një shprehje thjeshtë jo vetëm nacionaliste shoviniste, por është një shprehje që vjen nga një keqardhje e trashëguar prej kohësh”, tha Moisiu.

E duke folur për zhvillimet politike në Kosovë, Moisiu kishte kritika për ngjarjet që muajve të fundit kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se edhe mënyra e kundërshtimit të gjërave ka kufirin e vet. Ndërsa pohoi se duhet t’i tregojmë botës se jemi popull i kulturuar dhe nuk zbresim nga mali.

“Kosova ka problemet e veta. Kam kritikuar ngjarjet që kanë ndodhur në parlamentin e Kosovës. Jo që nuk duhet luftuar dhe duhet nguli këmbë për ato gjëra që dikush i konsideron të drejta dhe nuk duhen shkelur. Kjo është e drejtë e çdo njeriu, e çdo populli e çdo partie. Por ama mënyra si kundërshton ka edhe kufijtë e vet. Në fund të fundit duhet t’i tregojmë botës që jemi popull i kulturuar nuk zbresim nga mali... Jemi vendi që kemi harmoninë fetare të paimagjinueshme në çdo vend të botës. Shpeshherë më ka ndodhur që të takoj liderët e ndryshme thonë se gjithnjë ju kërkoni ju shqiptarët që të hyni në BE. Por çfarë do t’i jepni Evropës juve. Zotëri ne i sjellim Evropës një gjë që ju nuk e keni - tolerancën fetare”, tha Moisiu.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...