“Për një gjyqësor me integritet” ngre nevojën për besim në pushtetin e tretë

21 Tetor 2016 - 16:27      

Ambasada e Amerikës në Kosovë së bashku me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Gjykatën Supreme në vendin tonë, e kanë shënuar fillimin e nismës “Për një gjyqësor me integritet”, me qëllim të forcimit të këtij sistemi.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, tha se me muaj të tërë po flitet për përforcimin e sistemit gjyqësor në Kosovë dhe shtoi se sot një gjë e tillë po fillon të zbatohet.

Delawie theksoi se integriteti i sistemit gjyqësor nuk mund të paramendohet pa besimin e qytetarëve në këto institucione.

“Ju kujtoj se po flas për përforcimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë me muaj dhe sot bashkë po e fillojmë një nismë të re, pra, po zotohemi si Ambasadë Amerikane, e ne kur zotohemi, atëherë edhe e mbajmë fjalën dhe ky është një shembull i tillë. Të gjithë ne e kemi hisen tonë të kësaj nisme të re për integritetin publik dhe për të siguruar se transparenca dhe pavarësisë e gjyqësorit duhet të bëhen edhe më të rëndësishme në jetën publike në Kosovë. E vërteta është që çdo gjë që duam të arrijmë në Kosovë, është përfshirë edhe integrimin euroatlantik, rritjen ekonomike, reformën e sistemit të sektorit ët energjisë, varet nga aftësia e Kosovës për ta zhvilluar dhe mbajtur sundimin e ligjit dhe për ta luftuar korrupsionin”, ka thënë Delawie. “Kjo përpjekje as që mund të ekzistojë pa integritetin e plotë të sistemit gjyqësor dhe pa besimin e plotë të qytetarëve të Kosovës në atë sistem. Natyrisht se mund të jetë diçka e brishtë, duhen shumë shembuj të transparencës, paanshmërisë e llogaridhënies për ta ndryshuar perceptimin publik e megjithatë duhet shumë pak që ai besim të zbehet”, deklaroi ai, përcjell KSP.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se KGJK kohë më parë e ka hartuar kodin e saj, i cili mbështetet në parime ndërkombëtare.

“Pavarësia, paanshmëria, barazia, integriteti, profesionalizimi dhe përgjegjësia në punë, si dhe konfidencialieti i gjyqtarëve janë parime ndërkombëtare në të cilat mbështetet ky kod. Në fakt, ky kod mishëron standardet, parimet dhe vlerat që janë të përfshira në parimet e Monte Alorës dhe rekomandimet relevante të KE-së. Kodi i etikës profesionale për gjyqtarë dhe rregullorja për përcaktimin e sjelljeve të pahijshme janë të parat dokumente të tilla të përpiluara që kanë hyrë në fuqi pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Andaj, duke e marrë parasysh punën shumëvjeçare në reformimin e sistemit të drejtësisë, miratimi i kodit dhe rregullore konsiderohet si e arritur e veçantë në ruajtjen e integritetit të secilit gjyqtar, rrjedhimisht të sistemit gjyqësor”, ka deklaruar Idrizi.

Kurse, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka deklaruar se sot po nisë një kampanjë me rëndësi për integritetin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit.

“Sot nis një kampanjë e cila do të përqendrohet në rëndësinë e etikës dhe integritetit të sistemit gjyqësor, në luftën kundër korrupsionit këtu në Kosovë, duhet të fitojmë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë për të siguruar këto informacione që ne i ofrojmë publikut, prandaj, edhe procedurat implementuese do të jenë të dobishme, ndërkohë që publiku duhet të shfrytëzojë këtë. Dëshiroj të theksoj fuqishëm për rëndësinë e informimit të publikut të zgjedhin e procedurat e duhur dhe dallimin në mes të sjelljes ë pahijshme gjyqësore dhe ankesave për performancë sepse sa më shumë të jetë e informuar aq më shumë rritet edhe transparenca”, është shprehur ai.

Në publikimin e kampanjës “Për një gjyqësor me integritet” u theksua nevoja e rritjes besimit të qytetarëve të Kosovës në sistem të drejtësisë dhe gjykatat e vendit.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...