Qosja lavdëron Edi Ramën, akuzon dhe kritikon Hashim Thaçin

21 Tetor 2016 - 11:33      

Akademik Rexhep Qosja ka folur për debatin ndërshqiptar zhvilluar kohëve të fundit lidhur me vzitiën dhe deklarimet e Edi Ramës për Kosovën në Beograd.

Qosja ka lavdëruar kryeministrin e Shqipërisë, në një intervistë për “epoka e re”, ndërsa e ka kritikuar kryetarin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili, ka thënë Qosja, po përsërit ato që thotë LDK për krimet e pasluftës, ndërsa reagimin Enver Hoxhajt e ka quajtur të mjerë.
“Nuk ngurroj të them se fjalimet e Edi Ramës në Beograd me nivelin e tyre janë leksione politike dhe intelektuale për klasën politikë serbe. Kjo e vërtetë e nderon politikën shqiptare në përgjithësi”, ka thënë Qosja.

Sipas Qosjes, kryeministri Rama me deklaratën e tij në Beograd ia tha Serbisë dy të vërteta të mëdha.
“Me atë deklaratë kryeministri Edi Rama, me dhuntinë e tij krijuese, ia tha Serbisë dy të vërteta të mëdha, shumë të mëdha: e para, i tha Serbisë se Trepça është resurs i madh, tepër i madh, natyror, që kurrsesi, me kurrfarë mjetesh, nuk mund të nxirret prej vendit natyror, gjeografik, ku gjendet prej Kosovës dhe, e dyta, se Kosova është shtet i pavarur dhe më vete, që vendos vetë, pavarur, për të gjithë dhe të gjitha, që janë në hapësirën e saj gjeografike, njerëzore e shtetërore”, është shprehur Qosja.

Ndaj paraqitjes zyrtare të Edi Ramës në Beograd dhe në Nish, pati shumë reagime të zyrtarëve, të medieve dhe të individëve të ndryshëm në Prishtinë dhe Tiranë por, sipas akademik Qosjes, “për shumëkënd këto reagime në Prishtinë e në Tiranë mund të jenë befasi e madhe, e papritur e madhe”.
“Si është e mundur që komunikimi midis Prishtinës e Tiranës, qoftë intelektual qoftë politik, të çoroditet, të degradojë, të fundoset deri në atë shkallë?”, ka thënë ai.
Kurse reagimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, akademik Qosja e ka quajtur të mjerueshëm.
“Mjerisht, një mijë herë mjerisht, Kosova nuk mund të quhet, ashtu si e quan Ministria jonë e Jashtme, ‘shtet i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër në rajon’. Po të ishte shtet i pavarur, si çdo shtet tjetër në rajon, nuk do të ndodhte që në institucionet administrative, arsimore, kulturore e të tjera të komunave serbe në Kosovë të mos ketë simbole shtetërore të shtetit të Kosovës! Po të ishte Kosova shtet i pavarur si çdo shtet tjetër në rajon, nuk do të ngrihej përmendorja madhështore e car Lazarit në Mitrovicën veriore me gisht të ngritur në shenjë pushtimi ndaj Kosovës! Po të ishte Kosova shtet i pavarur si çdo shtet tjetër në rajon, nuk do të ndodhte që edhe në disa zyra në Prishtinë a në ndonjë komunë tjetër të mos vihej fotografia e kryetarit të Kosovës po të viheshin fotografi të kryetarit të dikurshëm partiakë! E të tjera, e të tjera”, ka deklaruar Qosja.

Duke iu referuar deklaratave të Edi Ramës, Qosja ka thënë se kjo është e drejtë natyrore dhe politike e popullit shqiptar të Shqipërisë për t’u interesuar për vëllezërit e vet në Kosovë dhe kudoqofshin. Ai ka theksuar se prej përfundimit të luftës çlirimtare në Kosovë, Shqipëria ka bërë dhe vazhdon të bëjë shumë punë për Kosovën, për njohjen e saj shtet i pavarur e më vete, për pranimin e saj në organizata e në institucione të ndryshme ndërkombëtare.

“Reagimet në Prishtinë, ndaj paraqitjes së kryeministrit Edi Rama në Serbi dhe një pjesë e reagimeve në Tiranë, ndaj këtyre reagimeve në Prishtinë, në të vërtetë janë shprehje e një provincializmi në të dy anët e kufirit, që tingëllojnë si përçarje. E provincializmi i bënë viktimat e tij ta shohin vetëm veten! Dhe, provincializmi i bënë viktimat të shohin vetëm sa mund të shohin ata: deri te kthesa e parë. Fatkeqësisht, klasa e sotme politike shqiptare, shumë më tepër se për jetën e popullit, po mendon për interesat e veta”, ka thënë Qosja.
Qosja në këtë intervistë ka folur edhe për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Qosja e ka komentuar edhe iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për zbardhjen e krimeve gjatë dhe pas luftës.
“Kërkesa e Hashim Thaçit “për t’u zbardhur, të gjitha krimet gjatë dhe pas luftës”, është përsëritje e kërkesave me qindra herë të përsëritura gjatë 16 vjetëve të shkuara të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të gazetës së saj “Bota sot”. Prej se është bërë kryetar i Kosovës, jo vetëm me këtë kërkesë, jo vetëm me ato katër letra, Hashim Thaçi kur e kur po paraqitet njëkohësisht si kryetar e si kryeministër, kurse tani në fund, edhe si Prokurori e Gjykatë e Kosovës! Por, a duhet a jo të paraqitet Hashim Thaçi me të gjitha këto kompetenca është e drejtë e çdo intelektuali, prandaj edhe e imja ta them si një intelektual i angazhuar, por është obligim ligjor ta thonë sidomos ata që janë zgjedhur për të gjykuar për zbatimin e drejtë e për shkeljet e Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë akademik Rexhep Qosja.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...