Mjeku Hajdari sulmon qytetarin që filmoi neglizhencën e tij mjekësore për KTV [video]

19 Tetor 2016 - 18:58      

Ish-drejtori i spitalit regjional të Gjilanit, Xhavit Hajdari i cili është mjek në këtë spital ka sulmuar një qytetar, Asllan Bunjakun në qendër të Qytetit të Gjilanit, ngase Hajdarit nuk i kishte pëlqyer një video e cila ishte transmetuar në emisionin Interaktiv të KTV-së e cila ishte dërguar nga ky qytetar.

Në video denoncohej neglizhenca dhe mos ofrimi i ndihmës mjekësore nga ana e Hajdarit gjersa ishte e shtrirë gruaja e tij në këtë spital.

Disa ditë pas publikimit të videos në Interaktiv, mjeku dhe qytetari ishin takuar rastësisht në qendër të qytetit, raporton korrespodenti i Kohës Ditore.

Fillimisht Hajdari kishte kërkuar shpjegime për videon e dërguar në Intearaktiv dhe me ç’rast e kishte fyer qytetarin dhe më pas e kishte sulmuar me grushte.

“Xhavit Hajdari ju kishte drejtuar Asllan Bunjakut fillimisht me fjalë duke e fyer me fjalë dhe duke e sharë me nënë duke i thënë pse më ke reklamuar mua në Interaktiv të KTV-së dhe më pas e godet me grushte në fytyrë për çka ai posedon edhe raportin mjekësor nga Emergjenca Rajonale në Gjilan.

I njëjti, Asllan Bunjaku ishte pakënaqur me trajtimin mjekësor nga ana e mjekut Xhavit që i kishte dhënë gruas së Asllanit dhe në atë kohë ai kishte bërë një incizim përmes telefonit dhe të njëjtin dyshohet se e ka dërguar në Interaktiv të KTV-së që edhe e ka shfaqur.

I dyshuari i dytë, në vendin dhe kohën e cekur më lartë po ashtu i kishte kundërvënë duke e goditur me grusht Xhavit Hajdarin në kokë dhe në pjesën e syrit të anës së djathtë ku poashtu posedon raportin mjekësor nga Emergjenca Rajonale e Gjilanit”, thuhet në kallëzim penal të Policisë së Kosovës të siguruar nga gazeta i cili kallëzim penal është ushtruar për veprën penale lëndim i lehtë trupor ndaj Xhavit Hajdarit si dhe ndaj Asllan Bunjakut.

Asllan Bunjaku i cili ishte sulmuar nga ana e mjekut në fjalë i kontaktuar nga gazeta ka deklaruar se prononcimin e tij për këtë rast do të japë pas përfundimit të procedurave gjyqësore.

Ndërsa Xhavit Hajdari, mjek në Spitalin Rajonal të Gjilanit i kontaktuar nga gazeta ka kërkuar që të mos publikohen informata për rastin e ndodhur duke mohuar se është i përfshirë në këtë rast. Ai thotë se videoja e dërguar në Interaktiv të KTV-së nuk e paraqet realitetin për neglizhencën mjekësore që pretendojnë familjarët ndaj tij.

“Kush e ka dërguar atë gënjeshtrën prej spitalit në KTV-ë. Ajo ka qenë e gënjeshtër dhe nuk ka pasur të bëjë me të vërtetën kurgjo hiç. Nuk ka pasur asnjë mosmarrëveshje jemi drejtuar me fjalë. Nuk ki nevojë me shkru hiq dhe ka sende tjera çka shkruhet”, ka thënë ai.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Gjilan. Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë deklaron se është bërë kallëzimi penal ndaj dy personave porse nuk ka informacione për gjendjen e lëndimeve.

“Ka ndodhur një incident dy persona janë të dyshimtë e kanë pasur një mosmarrëveshje të mëhershme janë takuar rastësisht dhe nuk e di a kanë lëndime apo nuk kanë. Kallëzime penale ka ndaj të dyve si të dyshimtë”, ka thënë Hashani.

Ish-drejtori i Spitalit të Gjilanit, Xhavit Hajdari kishte vuajtur dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti për marrje të ryshfetit.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...