Kosovarët që u martuan për letra nuk dëbohen nga Zvicra

19 Tetor 2016 - 11:25      

Edhe pse ka bërë martesë fiktive me zviceranen, (akt që normalisht dënohet), kosovari nuk dëbohet nga Zvicra, por lejohet të vazhdojë qëndrimin me të njëjtin status.

Fjala është për një baba të katërfishtë, të lindur në vitin 1967 në Kosovë, të cilit, Zyra e Kantonit të Cyrihut për Migracion ia kishte “prishur letrat” (vizën C), shkruan “nzz.ch”.

Në të njëjtën kohë, zyra në fjalë nuk donte t’ia jepte lejen atij për bashkim familjar.

Sipas Zyrës për Migracion, personi në fjalë në vitin 2003 ishte martuar me një zvicerane apostafat për ta fituar lejen e qëndrimit në Zvicër, me synimin që pastaj të sjellë këtu edhe familjen, transmeton “albinfo.ch”.

Ajo që është e sigurt është se kosovari ishte ndarë nga gruaja e tij kosovare, për t’u martuar me një zvicerane që ishte e futur në borxhe të mëdha. Pak muaj pasi e ka marrë lejen e qëndrimit të përhershëm (viza C) ai është shkurorëzuar nga zvicerania dhe ndërkohë sërish është martuar me gruan e tij të parë.

Edhe pse Gjykata Administrative konsideron se këtu bëhet fjalë për martesë fiktive, ajo e ka miratuar pjesërisht ankesën e kosovarit ndaj vendimit të Zyrës për Migracion. Sipas vendimit të Gjykatës “parimi bazë i besnikërisë dhe mirëbesimit do të shkelej, nëse do t`i mohohet leja e qëndrimit personit të përmendur. Po për këtë arsye, atij nuk mund t’i mohohet as e drejta për bashkim familjar (sjelljen e gruas nga Kosova).

Ndërsa, fakti se ai, megjithatë e ka marrë lejen e përmendur është mundësuar vetëm falë një vargu gabimesh të bëra. Kështu, ai, për shkak të mosplotësimit të kushtit për bashkëjetesë familjare në kohëzgjatje prej pesë vitesh me gruan zvicerane, as që ka pasur të drejtë të kërkonte lejen e përhershme të qëndrimit (C). Veç kësaj, për shkak të dyshimeve për ekzistim të martesës fiktive, është dashur të kërkoheshin sqarime të mëtejme.

Por, Zyra për Migracion kishte reaguar dhe kishte shprehur mosbesim vetëm kur ai kishte vendosur ta sillte gruan e tij të parë në Zvicër, që është një gabim, transmeton "albinfo.ch". Por, konstaton gjyqtari, gabimet e bëra nuk janë katastrofale. Sepse fundja, kosovari është “në mënyrë të pakontestueshme i integruar si është më së miri në Zvicër, ashtu si dhe dy fëmijët e tij, të cilët tashmë jetojnë këtu”. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...