Nishani uron shqiptarët në Ditën Kombëtare të Nënë Terezës

19 Tetor 2016 - 09:22      

Me anë të një mesazhi, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani u uron të gjithë bashkëkombësve kudo ku jetojnë, punojnë e studiojnë, Ditën Kombëtare të Nënë Terezës, tashmë të shpallur nga Kisha Katolike e të njohur botërisht si “Shën Tereza e Kalkutës”.

Nishani thotë se dita e sotme për ne shënon një kremtim sa të rrallë, aq edhe të papërsëritshëm: Ditën Kombëtare të Nënë Terezës, e cila plot trembëdhjetë vjet më parë, në saje të kontributeve dhe veprave të saj mrekullibërëse të bamirësisë ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve në nevojë në mbarë rruzullin, u lumturua dhe u quajt ‘Tereza e Bekuar e Kalkutës’ nga Papa Gjon Pali II.

“Më lejoni që në këto çaste të një gëzimi mbarëkombëtar, sepse jemi me plot të drejtë kombi i Nënës Terezës, që ka kapërcyer e lënë pas përgjithmonë absurdin e dikurshëm të të qenit i vetmi vend ateist i shpallur nga diktatura komuniste, t’ju shpreh urimet e mia më të përzemërta duke ju ftuar të njiheni më nga afër, të mësoni dhe t’i pasuroni edhe më tej përkujdesjet e vogla e të përditshme të kryera me përkushtim dhe ndjenjë të madhe dashurie nga shtatvogla, por vepërmadhja Gonxhe Bojaxhi! E bekuara dhe e shenjta datë e sotme si shembulli më domethënës i dashurisë pa kurrfarë kushti njerëzor e i respektit ndaj tjetrit që është ndryshe e në nevojë, simbolizon më së miri bashkëjetesën dhe harmoninë e pashembullt fetare që kombi shqiptar ka ushqyer, praktikuar dhe përsosur ndër shekuj”, thekson në mesazhin e tij, Bujar Nishani.

“Kjo Ditë e shënuar Lumturimi, por edhe festimi e përkujtimi i përbashkët që i bëjnë shqiptarët kudo ku ndodhen, pavarësisht se cilës fe mund t’i përkasim, sidomos tani pas shenjtërimit të Nënë Terezës më 4 shtator 2016 nga Papa Françesku, si dhe shpalljes Kardinal të Hirësisë së Tij Ernest Troshanit disa ditë më parë, na frymëzon të përulemi me respekt e përdëllim jo vetëm ndaj jetës e veprës së paharruar të Shenjtores sonë, por gjithashtu na mbush me ndjenjën legjitime të krenarisë më sublime mbarëkombëtare”, thuhet në fundit të urimit të Presidentit Nishani. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...