Foto: Koha

Qeveria do t’i drejtohet Kushtetueses për pezullimin e likuidimit të Trepçës

18 Tetor 2016 - 14:10      

Qeveria e Kosovës, të martën do t’ia parashtrojë kërkesën Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që të ndalojë të gjitha procedurat për likuidimin e ndërmarrjes “Trepça”.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Besnik Berisha, këshilltari i jashtëm për çështje të drejtësisë i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

“Qeveria e Kosovës, sot, brenda orarit zyrtar, do të parashtrojë kërkesën për përgjigje ndaj kërkesës së parashtruar nga deputeti Slavko Simiq dhe të tjerët nga Lista Serbe, për të kundërshtuar pretendimet e tyre”, ka thënë Berisha.

“Po ashtu për të kërkuar nga gjykata, që sipas detyrës zyrtare të caktojë masë të përkohshme për të suspenduar dhe ndaluar të gjitha procedurat lidhur me likuidimin e ndërmarrjes Trepça, deri në vendosjen meritore të kësaj çështje”, theksoi Berisha.

Afati i fundit për dorëzimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese nga ana e ekzekutivit për caktimin e masës së përkohshme lidhur me likuidimin e “Trepçës” përfundon të martën.

Javën e kaluar, përfaqësuesit e Listës Serbe, të prirë nga kryetari i saj, Slavko Simiq, kanë deponuar te Gjykata Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së miratimit të Ligjit për Trepçën nga ana e legjislativit.

Deputetët e kësaj liste në Kuvendin e Kosovës, siç ka thënë Simiq, nuk janë pajtuar me miratimin e këtij ligji.

Tani mbetet që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në mënyrë të përshpejtuar të trajtojë lëndën që do të procedojë Qeveria e Kosovës si dhe atë të Listë Serbe për Ligjin mbi Trepçën dhe të jap një interpretim e parë ligjor (masën suspenduese) para datës 2 nëntor, pasi kjo datë është afati i fundit kohor kur Trepça mund të shkojë në likuidim, thonë ekspertë të çështjeve juridike dhe ekonomisë.  

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...