Në pritje të Kushtetueses, “Trepça” ka vetëm edhe 15 ditë afat para likuidimit [video]

17 Tetor 2016 - 19:05      

Trepça po i ofrohet procesit të likuidimit, derisa ligji është dërguar në Gjykatë Kushtetuese nga pakica serbe.

Pavarësisht që ligji për Trepçën mori votat e shumicës së deputetëve të Kosovës dhe nënshkrimin e kryeparlamentarit, ai nuk mund të fuqizohet pa folur gjykata, raporton KTV.

Nëpërmjet një komunikimi elektronik, gjykata ka bërë të ditur se çështja do të trajtohet duke respektuar afatet ligjore.

“Përkitazi me kërkesën e parashtruar nga përfaqësuesit e grupit parlamentar ‘Lista Serbe’, vendimi do të merret duke respektuar afatet e parashikuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me Rregulloren e punës të Gjykatës”, thuhet në përgjigje.

Gjykata Kushtetuese ka afat 60 ditë të vendosë për rastin.

Por, bazuar në rastet e mëparshme, përfshirë edhe rastin e zgjedhjes së Presidentit Hashim Thaçi, gjykata kishte vendosur brenda periudhës 30 -ditore.

Pavarësisht kësaj, juristi Artan Qerkini beson se Trepça nuk do të kalojë në likuidim, por edhe nëse ndodh në momentin kur të hyjë në fuqi ligji, sipas nenit 16, procesi i likuidimit mund të ndalohet.

Dhe, nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të institucioneve të Kosovës, atëherë serbët kanë paraparë dërgimin e çështjes në arbitrazh.

Fondi për Zhvillim, të cilin Beogradi e njeh si hisedarin më të madh të Trepçës me 55 për qind të aksioneve, e ka njoftuar AKP-në dhe zyrtarët në Kosovë se pajtohet me ofertën e njëanshme për arbitrazh e që parashihet në Ligjin e Kosovës për investime të huaja.

Ky fond pretendon se me Ligin për Trepçën përshkruhet aksioni shpronësues, veprimet dhe asetet e operacioneve të kompanisë që është në zotërim të tyre dhe jep pëlqimin që kontesti të zgjidhet me arbitrazh.

“Topi tani është në fushën e autoriteteve kosovare, të cilat vetë e kanë shkruar se kontestet me investitorët mund të zgjidhen kështu në tri adresa – me ndërmjetësim të KB-së, Bankës Botërore ose me Odën e përmendur”.

Por, Qerkini thotë se Arbitrazhi nuk mund të ndodhë në këtë rast, pasi shtetet nuk mund të kundërshtojnë ligjet e njëra-tjetrës.

Në anën tjetër, Ligji për Trepçën, i miratuar në Kuvendin e Kosovës, thotë se pretendimet kreditore ndaj njësive biznesore sipas nenit 2 të këtij ligji, trajtohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në cilësinë e administratorit dhe nga Dhoma e Posaçme.


Në pritje të Kushtetueses, “Trepça” ka vetëm... by kohanet
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...