Vetëvendosje në punimet e konferencës parlamentare të social-demokratëve evropianë

17 Tetor 2016 - 18:03      

Kanë nisur sot punimet e Konferencës së Social Demokratëve të Aleancës Progresive Evropiane, ku Lëvizja Vetëvendosje po merr pjesë me një delegacion të përbërë nga Visar Ymeri, Shpend Ahmeti dhe Albin Kurti.

Në këtë konferencë marrin pjesë partitë kryesore social-demokrate të Evropës, si dhe shumë parti të tjera social demokrate nga e gjithë bota. Në këtë konferencë do të flasin edhe Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e Komisionit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, Martin Schultz, President i Parlamentit Evropian, Gianni Pittella, President i Grupit Social Demokrat në Parlamentin Evropian, Iain McNicol, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Laburiste Britanike, etj, bëhet me dije në njoftimin e Vetëvendosjes.

Punimet e kësaj konference do të zgjasin dy ditë, dhe ato janë të përqendruara te “Agjenda e re për paqe dhe drejtësi”.

“Kjo agjendë synon të ndërtojë politikat e nevojshme që i bëjnë ballë zhvillimeve si krizës financiare, krizës së refugjatëve dhe gjendjes së emergjencës që është vendosur në shumë shtete për shkak të sulmeve terroriste dhe ekstremizmit fetar. Nëpërmjet kësaj agjende, Aleanca Progresive e Social Demokratëve synon të ndërtojë një rrugë të qëndrueshme demokratike që i bën ballë sfidave të shekullit të XXI përmes politikave që e vendosin njeriun dhe të drejtat e njeriut në qendër, si dhe përmes forcimit të lidhjeve dhe organizatave në nivel ndërkombëtar, kundër autoritarizmit në rritje në shumë shtete të botës”, thuhet në njoftim.

Para konferencës, delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosjes u takua me Dirk Van Der Maelen, nga Partia Socialiste Ndryshe e Belgjikës, i cili kryeson Komisionin për Punë të Jashtme në Parlamentin Belg. Me Partinë Socialiste Ndryshe u diskutua për bashkëpunimin ndërpartiak, shkëmbime të ideve dhe bashkëpunimin në avancimin e çështjeve të Kosovës në parlamentin belg si dhe në Këshillin e Evropës, ku Van der Maelen njihet si përkrahës i anëtarësimit të Kosovës.

Paralelisht me këto aktivitete, në Bruksel Lëvizja Vetëvendosje po merr pjesë edhe në punimet që kanë nisur sot të Konferencës Parlamentare të “International Unionin of Socialist Youth” (IUSY) - Unioni Ndërkombëtar i Rinisë Socialiste. Kjo organizatë është e përbërë prej forumeve rinore të partive social demokrate nga e gjithë bota. Gurjeta Zeka, Koordinatore e Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë, po e përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje në këtë konferencë të forumeve rinore.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...