Ymeri në Bruksel: Qeveria po shpërfill nevojat e qytetarëve dhe të mërgatës

17 Tetor 2016 - 10:14      

Zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes: Visar Ymeri kryetar i VV-së, Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës dhe Albin Kurti, deputet i Vetëvendosjes, janë takuar me bashkatdhetarë që jetojnë në Bruksel, transmeton Koha.net.

Ata kanë folur për situatën në vend dhe duke listuar edhe probleme të mërgatës.

“Qeveria po shpërfill nevojat e qytetarëve dhe të mërgatës”, ka thënë Visar Ymeri.

Për aktivitetin e zyrtarëve të Vetëvendosjes në Bruksel, ka njoftuar kumtesa e nga kjo parti:

“Mbi 250 bashkatdhetarë morën pjesë në tubimin e organizuar nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Belgjikë me pjesëmarrjen e Visar Ymerit, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës, Albin Kurti, deputet i Vetëvendosjes dhe Gurjeta Zekën, koordinatore e Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Ky delegacion ka mbërritur sot në Bruksel për të marrë pjesë në Konferencën Parlamentare të Aleancës Progresive të Social Demokratëve të Parlamentit Evropian, dhe e nisi këtë vizitë me mërgatën shqiptare. Tubimi u hap nga Bujar Krasniqi dhe Arben Fetai, përfaqësues të Vetëvendosjes në Bruksel të cilët shpjeguan mbi organizmin në Belgjikë dhe mbi problemet me të cilat ballafaqohet mërgata shqiptare.

Të ftuarve ia uroi mirëseardhjen edhe deputeti me origjinë shqiptare në Parlamentin e Belgjikës, Ahmet Gjana, i cili theksoi nevojën për bashkimin e shqiptarëve në mërgatë dhe në Ballkan.

Në fjalën e tij, Albin Kurti, ngriti tre pika të Alternativës Qeverisëse në lidhje me mërgatën shqiptare: (1) njohja dhe regjistrimi i statusit të refugjatit që kanë marrë bashkatdhetarët tanë jashtë vendit, status i cili nuk është shënuar në shtetin e Kosovës, (2) të drejtën e votës së lirë për zgjedhjet në Kosovë aty ku jeton mërgata jonë, (3) nisjen e negociatave bilaterale për nënshtetësi të dyfishtë për mërgatën e Kosovës që jeton në ato shtete që për momentin nuk e mundësojnë këtë gjë. Më tej ai foli edhe për planin për lehtësime bankare tatimore dhe administrative për investimet që mërgata sjell në Kosovë.

Shpend Ahmeti tha se është e çuditshme, në kohën kur shumë vende të Evropës po kërkojnë të ndahen, që perceptohet si problem për dikë fakti që shqiptarët kërkojnë të bashkohen. Ai bëri një përmbledhje të luftës kundër korrupsionit të trashëguar në Komunën e Prishtinës nga qeverisjet e mëhershme, si dhe nënvizoi punën që është bërë nga Lëvizja Vetëvendosje për shujtat për nxënësit në shkollat fillore, transformimin pozitiv të qendrave të mjekësisë familjare, mbi 190 km të reja rrugë, kursime duke eliminuar luksin, si dhe projektin për 51 autobusët dhe linjat e reja urbane në Prishtinë.

Ndërkaq, Visar Ymeri deklaroi se Qeveria e Kosovës i shpërfill nevojat e qytetarëve dhe të mërgatës shqiptare, por ajo tregohet dorëlëshuar ndaj aspiratave të Serbisë karshi Kosovës. Ai shpjegoi dëmet që i ka shktaktuar Qeveria e Kosovës sovranitetit të shtetit dhe popullit të Kosovës që prej fillimit të bisedimeve në vitin 2011. Më tej, ai u ndal te marrëveshja për “Zajednicën” dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi duke e vënë theksin te rezistenca qytetare dhe opozitare, me në krye Lëvizjen Vetëvendosje, që arriti t’i ndalë këto marrëveshje të padrejta. Ymeri sqaroi se zhvillimi ekonomik është prioritet përmes ngritjes së një modeli të ri ekonomik, që jo vetëm rrit prodhimin dhe punësimin por edhe bën një rishpërndarje më të barabartë të të ardhurave në shoqëri, duke ngritur cilësinë në shëndetësi, arsim, si dhe duke sjell realizimin e plot të të drejtave të punëtorëve.

Në fund, u mbajt një dikstuim me pyetje-përgjigje dhe tubimi u mbyll me anëtarësime të reja në Vetëvendosje. Vizita do të vazhdojë në ditët në vijim me takime me funksionarë të lartë të BE-së, me partitë socialiste belge dhe me përfaqësues të partive social demokrate nga e gjithë Evropa.”

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...