Foto: Koha / ilustrim

Nesër protestohet kundër dhunës ndaj të miturve me moton “Mjaft më me arsyetime”

16 Tetor 2016 - 14:49      

Të hënën me 17 tetor 2016, nga ora 12:00 në Sheshin Zahir Pajaziti, aktivistet nga grupi Feminizmi Shqiptar, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), Grupi i Grave Asambleiste nga Komuna e Gjakovës si dhe individë e aktivistë nga shoqëria civile, të bashkuar ju ftojnë të protestojmë kundër dhunës së ushtruar ndaj një vajze të mitur nga komuna e Rahovecit.

Përmes një komunikate për media të lëshuar nga RrGGK, thuhet se “vajza është goditur me shqelma dhe është zvarritur pranë grilave të oborrit të shkollës së mesme “12 maji” nga xhaxhai i saj, njëkohësisht edhe profesor në këtë shkollë, e më pas së bashku me dy persona të tjerë është bartur drejt makinës, pasi që siç shihej në një video të shpërndarë në internet vajza nuk ishte në gjendje të ecte”.

“Për ta bërë edhe më të rëndë këtë situatë, zyrtarët nga stacioni policor në Rahovec, u deklaruan se “dhënia e disa shuplakave vajzës e cila vetëm për muajin shtator ka bërë 41 mungesa në shkollë, nuk duhet ekzagjeruar deri në këtë masë”, ndërsa drejtori i shkollës ku vajza po vijonte mësimin dhe ku fare pranë ndodhi kjo ngjarje, u deklarua se shkolla nuk ka përgjegjësi të ndërhyj në raportet familjare”, thuhet në këtë komunikatë.

Sipas RrGGK-së, e gjithë kjo ka dëshmuar edhe njëherë se në Kosovë dhuna në familje mbetet një prej shqetësimeve më të mëdha të shoqërisë sonë.

Gjithashtu, sipas kësaj organizate, institucionet e arsimit, në këtë rast shkolla, nuk ka treguar seriozitet duke mos mbajtur përgjegjësi për dhunën e ushtruar nga një profesor.

“Ky institucion, përfshirë Policinë e Kosovës, konsiderojnë se dhuna e ushtruar ndaj vajzës është çështje personale që “u takon vetëm familjarëve””, thotë RrGGK.

“Mentaliteti i shoqërisë kosovare ndër vite ka pranuar përdorimin e dhunës në familje si formë edukimi dhe disipline ndaj fëmijës. Jo vetëm në familje, por përdorimi i dhunës dihet se ka qenë pjesë e mënyrës së mësimdhënies, rregullimit të rendit të ditës nëpër klasa, e në shumë raste edhe një përpjekje për përmirësimin e sjelljeve të nxënësve. Fatkeqësisht, kjo dukuri po vazhdon të ndodhë edhe sot”, thotë më tej kjo organizatë.

Prandaj, përmes kësaj proteste, aktivistët e lartpërmendur kërkojnë ndalimin e dhunës “dhe t’u themi të gjitha institucioneve në Kosovë dhe shoqërisë kosovare kundërshtimin tonë me një fjali të vetme: Mjaft më me arsyetime! Përmes kësaj proteste kërkojmë drejtësi për këtë dhe shumë raste të tjera të dhunës në Kosovë, përfshirë ndaj vajzave e djemve, burrave dhe grave. Përmes protestës, kërkojmë nga institucionet që të ushtrojnë detyrën e tyre me profesionalizëm dhe gjithashtu ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që janë dëshmitarë të dhunës ta raportojnë atë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre”.

“Dhuna nuk duhet të përdoret si formë edukimi apo disipline! Dhuna është krim! Ejani të protestojmë së bashku!”, përfundon komunikata e lëshuar nga RrGGK. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...