Foto: Koha / ilustrim

KE vlerëson progresin financiar në Kosovë, përmend çështjen e veteranëve

16 Tetor 2016 - 13:24      

Publikimi i fundit i Komisionit Evropian për vendet që janë kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në BE, konfirmon progresin në zhvillimin ekonomik në Kosovë, por tërheq vëmendjen në çështjet që duhet adresuar nga Qeveria dhe institucionet e tjera në Kosovë.

Kështu ka deklaruar ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se rritja ekonomike në tremujorin e parë ka arritur në 3.8% dhe ka tendencë të rritjes më tutje.

Ajo që është e rëndësishme, thotë Hoti, është se rritja ka ardhur nga investimet private dhe nga konsumi privat dhe kjo e bënë këtë rritje të qëndrueshme në afat më të gjatë.

“Studimi i KE konstaton se qarkullimi industrial është rritur me 8% gjatë pjesës së parë të këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkaq, qarkullimi në miniera dhe energjetikë u rrit me 33.7% dhe 14.2% respektivisht. Prodhimi u rrit me 2.3%”, thekson Hoti, raporton Koha.net.

KE, sipas ministrit Hoti, e vlerëson konsolidimin e buxhetit të shtetit, me rritje të vazhdueshme të të hyrave të rregullta buxhetore prej 14.2% gjatë këtij viti, si dhe politikën e kursimeve.

“Pagat në Kosovë janë rreth 400 euro, ndërkaq në sektorin publik janë rreth 16% më të larta në se pjesën tjetër të ekonomisë”, shprehet ministri i Financave.

Ai vlerëson se raporti me të drejtë konstaton deficitin në llogarinë korente, çështjen e investimeve të jashtme, eksportet e ulëta dhe çështje të tjera me të cilat duhet të merren institucionet.

Megjithatë, në raportin e KE-së, përmendet edhe çështja e pensioneve për veteranët e luftës së UÇK-së, “detaj” të cilin ministri nuk e vë re.

Aty thuhet se nëse vazhdohet me këtë ritëm të certifikimit të veteranëve, Kosova mund të ketë shpenzime buxhetore vjetore deri në 100 milionë euro.

“Çështja e beneficioneve për veteranët e luftës mbetet një çështje e pazgjidhur brengosëse, me pasoja për kredinë e planifikuar 100 milionë eurosh të FMN-së të caktuar për dhjetor dhe për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së në buxhet. Fillimisht, buxheti i vitit 2016 ndau 25 milionë euro për përfitimet e veteranëve të luftës, duke u bazuar në 13 mijë përfituesit potencialë, por kjo shifër u rrit në rreth 28 mijë dhe po vazhdon të rritet. Numri aktual i veteranëve të certifikuar të luftës është 46.230, me një pjesë të madhe të tyre të përshtatshëm për këto beneficione (ata të cilët nuk kanë asnjë të hyrë tjetër). FMN pret që kostoja e skemës së beneficioneve për vitin 2016 të arrijë në 88 milionë euro, në mënyrë të konsiderueshme më shumë sesa shuma e ndarë fillimisht prej 60 milionë eurosh. Nëse mbahet skema aktuale e certifikimit dhe beneficionet, implikimet për buxhetin mund të rriten në 100 milionë euro në baza vjetore”, thuhet në këtë raport të Komisionit Evropian, të publikuar ditë më parë.  

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...