Foto: Koha / ilustrim

Studentëve të UP-së u shtohet afati i shtatorit, u zvogëlohet numri i provimeve për kalim të vitit

16 Tetor 2016 - 10:53      

Studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” e kanë fituar “betejën” me Rektoratin për kthimin e kritereve të vjetra për kalimin e vitit akademik, si dhe shtimin e një afati të provimeve.

Vitin e kaluar UP-ja kishte marrë vendim që të mos e lejojë asnjë afat shtesë për provime, si dhe ta rrisë numrin e provimeve si kusht për të kaluar vitin, duke ua vështirësuar studentëve përfundimin e studimeve, ndërsa studentët kishin reaguar duke shprehur pakënaqësitë e tyre në mënyra të ndryshme.

Ndërkohë, tashmë së fundmi, me kërkesë të Parlamentit të Studentëve, Senati i UP-së ka marrë vendim që provimeve t’i shtohet edhe një afat shtesë, ndërsa kriteri për kalim të vitit të mbetet ai që ka qenë në të kaluarën.

Një nga përfaqësuesit e studentëve në Senatin e UP-së, Argjend Softolli, ka thënë për Kosovapress se kërkesat e studentëve janë plotësuar.

“Kjo nuk është bërë derisa tashmë rektori Marjan Dema njëmend ka vendosur ta menaxhoj mirë Universitetin dhe besojmë që, edhe e kemi shtruar këtë në Senat, Senati ka vendosur në të mirën e studentëve dhe në favor të Parlamentit Studentor, pra sot kriteri për të kaluar nga viti në vit, nga viti i parë në vitin e dytë është minus 3 provime që i bie 30 për qind minus, nga viti i dytë në vitin e tretë është po ashtu me minus 30 për qind dhe nga viti i dytë në të tretin është me minus 40 për qind e kalon vitin”, ka thënë ai.

Ndërkohë, sa i përket afateve të provimeve, Softolli ka thënë se duke e respektuar Statutin e UP-së, është shtuar një afat në shtator me çka kërkesat e studentëve janë plotësuar.

“Ndërsa, sa i përket shtimit të afateve është shumë e vërtetë që ne kemi pasur shumë probleme me afatin e tetorit, nëntorin dhe afatet e absolventëve. Ju e dini mirë ne më së shumti kemi protestuar për punën e afateve, po në mbledhjen e mbajtur më datë 31.08.2016 është vendosur që kjo të ndryshoj, pra tani ne i kemi vetëm 3 afate që i bie vetëm e kemi ndryshuar afatin e shtatorit është bërë që afati i shtatorit t’i ketë dy mundësi, afati i shtatorit 1 dhe shtatorit 2 që studenti mundet t’iu nënshtrohet të gjitha provimeve në afatin e shtatorit nga dy herë që kjo është një lehtësi shumë e madhe që është mirëpritur nga ana e studentëve. Neve kjo na ka interesuar, po ashtu jemi përkujdesur për absolventët, për studentët tanë për shkak se e kemi bërë të mundshme që njësitë akademike t’i organizojnë vet afatet e absolventëve, për shembull studentët të cilët kanë kërkesa, bëhen një numër i konsiderueshëm i studentëve të cilët kanë dëshirë për të hyrë në provim gjatë muajit, atëherë ata e bëjnë kërkesën në dekanat dhe dekanati pastaj e ka të obliguar që t’ua organizoj mbajtjen provimeve”, është shprehur Softolli.

Ndërkohë, afati i janarit dhe ai i qershorit, sipas Softollit kanë mbetur ashtu siç kanë qenë, duke e respektuar edhe Statutin e UP-së.

Megjithatë, Softolli ka thënë se me plotësimin e këtyre kërkesave, tashmë studentët e UP-së janë të kënaqur , dhe nuk ka më vend për protesta e reagime tjera. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...