Vuçiq fton bizneset serbe të investojnë në Shqipëri, thotë shqiptarët janë besnikë

14 Tetor 2016 - 18:52      

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar karakterin e popullit shqiptar, duke thënë se ata janë njerëz të besës, ku ka kërkuar nga biznesmenët serbë të punojnë dhe të investojnë në Shqipëri.

“Shqiptarët janë njerëz të besës, prandaj duhet punuar me ta”, është shprehur Vuçiq, raporton TCh. Ai tha se bashkëpunimi me shqiptarët në fushën ekonomike është patriotizëm dhe sipas tij, kjo është rruga e vetme që duhet ndjekur.

“Dua të inkurajoj njerëzit tanë të shkojnë në Shqipëri, të ndërtojnë objekte turistike, të krijojnë kompani të përbashkëta. Shqiptarët e mbajnë fjalën dhe janë njerëz të mirë dhe të punës. Unë jam ndoshta subjektiv, por dua t’u them se kjo është e mirë për Serbinë dhe punoni mirë me ta. I kuptojmë ndarjet politike, por duhet t’i kthehemi të ardhmes”, tha Vuçiq.

Forumi i Biznesit Shqipëri-Serbi në qytetin e Nishit ka zgjuar kureshtjen e qindra gazetarëve dhe biznesmenëve serbë. Në një takim më të relaksuar se në Beograd, tani duket se gjuha ka ndryshuar.

Edi Rama, pikërisht në 2-vjetorin e dronit, në Nish ka theksuar se nëse shihet mbrapa, është arritur shumë në marrëdhëniet në mes të dyja vendeve. Ai tha se në atë kohë nuk mund të imagjinohej një takim i tillë.

“Një nga arsyet pse ne prodhojmë më shumë histori sesa ç’mund të tresim është se jemi të vegjël dhe kur vjen puna të mendojmë për tregun, tregjet tona janë shumë të vogla të ndara nga njëri-tjetri në një botë që sa vjen dhe bëhet gjithmonë e më e egër nga pikëpamja e konkurrencës. Por ama, nëse ne arrijmë që kush investon në Tiranë, Beograd, Prishtinë, Podgoricë e kështu me radhë të mos investojë thjeshtë brenda kufijve të një tregu të vogël, por të investojë në një treg të gjerë rajonal kemi garantuar një kapërcim historik për njerëzit në funksion të zhvillimit dhe mirëqenies së tyre”, tha Rama.

Forumin e ka hapur Marko Cadez, kryetar i Dhomës së Tregtisë së Serbisë, i cili tha se ka bërë një punë që duhet vazhduar në përmirësimin e marrëdhënieve.

Rama e Vuçiç janë takuar sërish, ndërsa kryeministri shqiptar është takuar edhe me biznesmenet, raporton Top Channel. Historia mund të ndryshojë nëse ekonomia merr kryefjalën, duke bërë kthesë në të mirë të zhvillimit.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...