“Prokurorët ndërkombëtarë neglizhuan qëllimisht zbardhjen e vrasjes së Benet Rexhepit”

13 Tetor 2016 - 22:11      

Avokati i njohur kosovar, Tomë Gashi, në “Rubikon” të KTV-së ka folur në detaje në lidhje me vrasjen e të riut Benet Rexhepi, për të cilin drejtësia që 17 vjet nuk ka mundur të zbardhë.

Ai ka thënë se nuk ka qenë në interes të prokurorëve të UNMIK-ut që ta zbardhin këtë rast, derisa ka shprehur bindjen se një prokuror vendor me dije mesatare do të mund ta zbardhte këtë rast, sepse sipas tij ka qenë vetëm një pistë hetimi.

Gashi beson se Rexhepi u vra pasi kishte informata për keqpërdorime milionshe me paratë dedikuar refugjatëve.

“Ka qenë një prokuror, amerikan por i UNMIK-ut, i cili është marrë me këtë rast. Disa herë e ka pushuar rastin. Nuk e ka ndërpre, por e ka pushu. Besoj se ishte neglizhencë totale e prokurorëve të huaj. Në atë rast ai ishte i UNMIK-ut edhe pse amerikan me shtetësi. Rasti u zvarrit me vite të tëra”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se për një kohë ka provuar që pjesërisht të ndihmojë në këtë rast, derisa kujton se veç kishte filluar dërgimi i rasteve të tilla në atë që quhet “Raste të ftohta”.
“D.m.th. rastet që kanë kaluar disa vite dhe nuk kanë arrit te rezultati dhe ato raste janë dërguar si raste që nuk kishin prioritet, edhe pse do të duhej të ishte e kundërta. Ai rast është i trishtueshëm, sepse besoj që kanë mundur të arrihen rezultate shumë më të mëdha. Të identifikohen kryesit, së paku motivet pse ka ardh deri te vrasja. Sepse vrasja e Benetit ka ardh pikërisht për shkak të punës së tij dhe jo si mundohej ky prokuror fillimisht që tentonte të shpjegonte që eventualisht mos ka qenë vrasje aksidentale”, ka thënë Gashi.

“Është neglizhencë totale. Po ju garantoj që një prokuror shqiptar i Kosovës me dije mesatare do ta zgjidhte këtë rast shumë vite më herët”, ka shtuar më tej ai.

Gashi ka thënë se “Beneti kishte paralajmëruar me e-mail e shkresa te shefat e tij për shkak të zbulimeve për keqpërdorime të mëdha të parave në institucionin ku ai ka punuar, në UNHCR për ndihmë të refugjatëve. Me punën e tij që e ka pas, ka gjetur vjedhje milionëshe dhe ka paralajmëruar se do ta lëshojë punën dhe duket se kjo i ka kushtuar me jetë”.

Gashi ka shprehur bindjen se “prokurorët e kanë pasur të lehtë me zbulu rastin sepse pista e hetimit ishte e limituar”.
“Ai nuk ka pasur problem me askënd tjetër në këtë botë, përpos me punën e tij. Pse nuk është zbuluar, është se besoj që nuk i ka konvenuar pjesëtarëve të të UNMIK-ut që të zbulohet se një person është vrarë se ka zbuluar keqpërdorimet e vetë Kombeve të Bashkuara”, ka thënë në fund Gashi.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...