Ana Marky Walsh, shqiptarja që ndan dashurinë dhe lumturinë me botën

13 Tetor 2016 - 09:41      

Tirane, 13 tetor - Ana Marky Walsh, në Amerikë rriti vajzën e saj. Amerika e bëri zonjë të vetes, e bëri të fitonte jetën. Mbi të gjitha i forcoi besimin për veten, jetën dhe dashurinë. Portretin e saj e jep ATSH-ja.

Ana nisi të krijojë dhe dizenjojë forma bizhuterish dhe t’i shiste në tenda dhe në rrugë. Kështu, Ana, me një të shkuar të dhimbshme, u bë trajnere e certifikuar e jetës së saj. Amerika i dha lumturinë dhe krijoi një Ana të re, të cilën ajo vetë e ka miratuar me dashuri. Nisi të punojë me gurë gjysmë të çmuar dhe kristale. Në fillim, bizhuteritë e bëra vetë ua tregonte njerëzve nëpër shtëpi apo kur organizoheshin festa . Pastaj punonte në panaire të qytetit në rrugë. Kujton se një dimër, kishte një tavoline pune në rrugën 59 , matanë Central Park, ku shiste bizhuteri. Bënte ftohtë, qëndronte 12 orë pa lëvizur, duart i ngrinin dhe i bëheshin herë të zeza e herë blu. Por biznesi i saj u rrit, kur nisi të studionte ‘chakras’ dhe fuqinë shëruese të gurëve gjysmë të çmuar me kristale. Krijoi dizajne të reja, mundi të ndihmonte njerëz për t’u shëruar nga emocione dhe ndjesi emocionale dhe fizike. Kështu hapi biznesin e saj të quajtur Moda e Nina Nona, që tërhoqi shumë njerëz. Sot, çdo pjesë e bizhuterive të saj, është një vizatim origjinal. Kënaqet duke kombinuar gurët me ngjyrat e tyre vezulluese të cilat japin fuqi. Në çdo pike sferë, është vënë një fije peri ku vendos bekime për personin që do ta mbaje atë. Ajo që e plotëson, është se kombinon krijimtarinë me filantropinë duke ua dhuruar grave të dhunuara, jetimëve, personave me aftësi të kufizuara, fëmijëve me nevoja të veçanta, fëmijëve me autizëm ! Ana arriti të ndjehet krenare për arritjet e saj me vizionin për të ndarë bukurinë, dashurinë dhe lumturinë, me botën.

F.N: Si ka qenë fëmijëria juaj ? Cilat kanë qënë disa nga endërrat e para ?

A.M : Unë u rrita në një familje të madhe me gjashtë fëmijë, prindërit dhe gjyshi im së bashku. Në atë kohë, jetonim në Shkupin e vjetër, kohë para tërmetit, me një standard të ulët ekonomik, por ishim të lumtur dhe me shumë dashuri për njëri tjetrin. Në kujtimet e mia, mbaj mend që nëna dhe babai, gjithmonë na mësonin të silleshim mirë me njerëzit dhe të dinim vlerën e punës. U rritëm me një besim të fortë për fenë katolike dhe shkonim çdo të diel në kishë. Në atë kohë kishim dhe komunitetin më të madh mysliman në lagje dhe në qytet dhe prindërit gjithmonë na flisnin që të respektonim besimin e të tjerëve dhe t’i donim ata. “Tonën me e mësu dhe te huajën me e respektu”, na thoshin. Në jetën time, ndikim të madh ka pasur axha im. Ai ishte aktor dhe akademik , besoj që edhe sot njihet në Maqedoni, Kosove dhe më gjerë. Quhej Mark Marku, punonte në teatrin e Shkupit dhe ishte shumë i suksesshëm. Ishte një burrë i lexuar dhe pikëpamje të hapura intelektuale. Ndoshta nga ai kisha një ëndërr, të vazhdoja rrugën e artit dhe te interpretoja role të bukura për njerëzit, t’i bëja të lumtur ata. Por ngeli vetëm një ëndërr. Një moment i bukur që ka ndikuar ne jetën time, ka qenë Nëna Terezë, kur ajo jepte klasë katekizëm në katedralen e Shkupit. Ajo na fliste dhe na mësonte nga puna e saj me të varfrit në Indi. Dhe pse isha vetëm 8 vjeç, në atë kohë, ajo mbeti një mësim i mirë, si duhet në jetë t’i shërbejmë njeriut në nevojë dhe çdo gjë ta bëjmë me dashuri. Unë nuk u bëra artiste në teatër, por zgjodha për të jetuar një jetë, që më plotësonte mua dhe njëkohësisht ndihmoja të tjerët.

F.N : Si do ta përshkruanit qytetin tuaj të lindjes?

A.M : Qyteti im i lindjes, është Shkupi, jo shumë i madh në atë kohë, i vjetër me shtëpi të vogla karakteristike shqiptare, të thjeshta, por të ëmbla brenda dhe me njerëz të dashur, me plot kujtime nga pesë motrat dhe vëllain tim të vetëm. E mbaj mend oborrin ku luaja kohën më të madhe me lojëra, lexoja tregime dhe bëja ëndrra për të ardhmen. Shkupi, ishte një qytet i bukur, me shumë histori, i ndarë në dy pjesë: të vjetrin nga ura e gurit në lindje, ku përfshihet tregu i njohur ndryshe si “Bitpazar” me dyqane të vjetra ku mund të bleje ushqime, flori , argjend dhe veshje të lira; matanë urës së Gurrit (Stone Bridge), shtrihej Shkupi modern me ndërtesa të mëdha, shumëkatëshe për atë kohë, hotele dhe me një qendër tregtare.
F.N: A shkoni në vendlindje dhe cilat janë arsye që ju bëjnë të ktheheni në Shkup ?

A.M : Kur prindërit ishin gjallë, shkoja në vendlindje thuajse çdo vit. Bashkoheshim me motrat, vellain dhe kushurinj të tjerë. Kalonim kohë të bukura me kujtime, të qeshura, muzikë, gëzime dhe prindërit ishin të lumtur që na shikonin mirë. Kur prindërit e mi, ndërruan jetë, vendi në një lloj mënyrë mbeti zbrazët , dhe kështu iki më pak atje. Por ka një vend tjetër, që ka vend në shpirtin tim, ai është Prizreni, qyteti, ku lindi nëna ime, por ku lindi dhe fëmija im i parë, djali im, Gjoni.

F.N : Si dhe pse vendose të shkonit në Amerikë?

A.M : Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, njoha një djalë nga Prizreni. Ishte një dashuri e bukur e pastër ; u njoha në shtëpinë e kushurinjve në Shkup, më vonë u martuam. Ishim të rinj dhe nuk menduam për gjëra të tjera. Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, u bëra nëne, linda djalin tim të parë, Gjonin. Isha e lumtur dhe nuk mendoja që jeta do të më merrte kthesa të tjera. Lumturia ime nuk vazhdoi gjatë, pasi im shoq iku me një grua tjetër. Dhe akoma më e vështirë ishte kur ai mori me vete djalin tonë. Në Kosove dhe Maqedoni në atë kohë kur gruaja ndahej nga burri nuk kishte të drejta. Me ndarjen, e drejta i kaloi burrit dhe ai mori Gjonin e vogël në Kroaci, ku kishte tregtinë e argjëndarisë. Por jo vetëm kaq, mua më mungonte mbështetja nga familja ime. Une isha një grua e re, e varfër pa përkrahje. Kështu djalin tim të parë e shkëputën nga dashuria e nënës dhe unë nuk bëja dot asgjë. Zemra ime u thye keq. Por, jeta më hodhi në peripeci të tjera, kur në vitin 1973, njoha një djalë që jetonte në Amerikë. Ai erdhi dhe kërkoi dorën time që prindërit e aprovuan. U largua në Amerikë për të bërë dokumentat që duheshin. Në një periudhë të shkurtër, duhet të merrja vizën dhe të ikja ashtu si ishte zakoni. Ai premtoi shumë, për një jetë të bukur në Amerikën e viteve shtatëdhjetë, vend i lirë dhe me mundësi të mëdha, një jetë për të dëshiruar, punë, shtëpi. Tek të gjitha, ai nuk kishte asgjë të vërtetë. Fejesa ime dhe martesa bashkë në një fjalë u zhduk, u bë terr, ai nuk u duk për shumë kohë, ndërkohë që isha tre muaj shtatzëne. Prindërit nuk e dinin që prisja fëmijnë e dytë që ishte vajzë. Ata më ndihmuan me të holla, për një biletë fluturimi, sepse në atë kohë në mentalitetin tonë, ishte turp që vajza e martuar me një martesë të dytë të kthehej në shtëpi përsëri. Ana duhej të ike. Kështu, u nisa për në Amerikë në vitin 1974. Në fluturim nga Shkupi për në Amerikë, qava më shumë për djalin tim Gjonin. Ka qenë një rrugë e gjatë, e dhimbshme, kur mora me vete kujtimet për djalin, familjen time, vuajtjet e tyre me mendimin që po ikja në një botë të madhe dhe pa askënd. Episodi i jetës time vazhdoi kur më priste babai i vajzës sime si të thuash premtimi, fejesa-martesa bashkë. Nuk ishte vetëm, por me një vajzë amerikane kur më pëshpëriti në vesh , “mos thuaj gjë, bëhu sikur je motra ime, sepse nuk kam shtëpi, as punë e para. Ndryshe përfundojmë në rruge. Sonte do ikim te apartamenti i saj”. Atë nate me vajzën time në bark, fjetëm në një karrige lëkundëse, e uritur, e mërzitur, shtatzënë, e lodhur, kur ai flinte me të dashurën në dhomën e gjumit. Kujtimi dhe malli për djalin asnjëherë nuk u ndal nga zemra ime. Ndërsa e shtrirë në karrige, zemërthyer, vura dorën në barkun tim dhe i thashë fëmijës së palindur: “Askush nuk do guxojë të të marrë nga unë. Në këtë vend të ri, do të ekzistoj dhe do të bëj çdo gjë për ty. Ne të dyja do jetojmë në një shtëpi të madhe dhe do kemi një jetë të mirë. Ajo që gjeta në Amerikë, nuk të do më shkatërronte , do më jepte shtytje për t’u ngritur dhe për të më bërë më të fortë. Dhe gjithnjë ëndërroja si do të sillja djalin tim në Amerikë. Ëndrra ime u realizua pas tetëmbëdhjetë vitesh të gjata.

F.N:Çfarë betë ju në vitet e para në SHBA ?

A.M : Punoja në një pompë benzine. Mbijetoja. Një jave pas lindjes së vajzës, nisa të pastroja zyra, njëra nga to ishte kompania e Diane Von Furstenberg dhe Robert Redford në qytetin e Nju Jork -ut. Ndërsa pastroja, lutesha dhe shihja vajzën time të ulur, prapa tavolinave në një prej zyrave luksoze. Jam e lumtur të them se vizioni im për të ardhmen e saj u realizua. Gjatë gjithë kësaj kohe, duroja abuzimin verbal dhe fizik nga bashkëshorti që nuk punonte dhe m’i merrte paratë që fitoja t’i lozte kumar. Qëndrova me të derisa vajza ime mbushi tre vjeç. Më vonë e lashë, duke ikur pa lënë gjurmë.

F.N : Pas kaq vitesh çfarë ju ka dhënë Amerika ?

A.M :Amerika, më dha mundësinë e punës, të mbaj dhe të rrisë vajzën time. Më bëri të zonjën e vetes, të fitoja jetën dhe të vizitoja djalin tim, pas pesë vitesh, dhe që atëherë çdo vit. Mbi të gjitha më forcoi besimin tim, sepse është një vend që ju hap një botë njerëzve të mirë dhe të bukur, të cilët u bënë sistemi im mbështetës. Fitova besimin për të mësuar për veten time, për jetën dhe për dashurinë. Unë u rrita dhe krijimtaria ime u plotësua . Nisa të krijoja dhe dizenjoja forma bizhuterish, punoja çdo sezon, shisja bizhuteri nën tenda , në rrugë. Unë u bëra një trajnere e certifikuar e jetës dhe Amerika më ofroi ndihmën time për shumë gra të tjera. Amerika më dha lumturinë dhe krijoi një Ana të re, të cilën unë e kam miratuar me dashuri. Në atë kohë ecja në shtegun e dhimbjes në ndjekje të lumturisë, por çdo lot që unë kam derdhur dhe shndërruar në një dritë nëpërmjet fuqisë së dashurisë dhe forcës së besimit tim.

ana2F.N : Si do ta përshkruanit vendin tuaj të dytë ?

A.M :Ky është vendi i mundësive, është vendi që më dha lirinë për të qenë ajo që jam, më dha lirinë për të besuar, për te ëndërruar, për t’u rritur dhe për të ndjekur ambiciet e mia. Gjithmonë mendoja të kisha një familje të lumtur dhe ky është vendi ku unë e gjeta një të tillë: Burri im, Frank Walsh, i cili më pranoi mua për atë që unë jam, më mbështet në çdo plan të jetës. Vajza ime, e cila u rrit dhe suksesshëm ndoqi Industrinë e Modës, ka tre fëmijë, dhe unë dy mbesa dhe një nip të bukur. Tani, kemi një shtëpi të madhe, ku të gjithë miqtë e mi dhe familja mblidhen. Vendi im i dytë hoqi frikën dhe pafuqinë time dhe ndërtoi një grua të re , kjo që unë jam sot.

ana5F.N: Hapi i parë i punës tuaj në Nju Jork si nise të punosh me bizhuteritë ?

A.M : Të krijosh jetën tënde në mënyrën si do, është motoja ime. Unë kam arritur në përfundimin se, mendja e kujtdo, mund të arrijë gjithçka që dëshiron. Në shtëpinë tonë, në vendlindje, kemi punuar me filigran argjendi të pastër. Në Amerikë, nuk pata pajisjet, dhe nuk mund të prodhoja argjend. Kështu, nisa të punoja me gurë gjysmë të çmuar dhe kristale. Ju tregoja bizhuteritë e bëra vetë njerëzve në shtëpitë e tyre, apo në festa të ndryshme. Pastaj kam punuar në panaire të qytetit dhe në rrugë. Mbaj mend një dimër, kam pasur një tavoline pune në rrugën 59 dhe Columbus Circle, matanë Central Park, ku kam shitur bizhuteri. Bënte shume ftohtë, qëndroja 12 orë pa lëvizur apo të dilja nga tavolina e punës. Duart më ngrinin, më bëheshin herë të zeza e herë blu, nga të ftohtit. Disa ditë kisha shitje të madhe, disa ditë më pak, por Perëndia me ofronte gjithmonë forcë dhe mbështetje. Biznesi im u rrit, kur fillova të studioja ‘chakras’ dhe fuqinë shëruese të gurëve gjysmë të çmuar me kristale. Nisa të krijoja, dizajne të reja dhe të ndihmoja njerëzit për t’u shëruar nga emocione dhe siklete të ndryshme emocionale dhe fizike. Kështu hapa biznesin tim të quajtur Moda e Nina Nona që tërhoqi shumë njerëz. Fillova të marrë pjesë në shfaqjet e artit, festivale artizanale dhe ndërtesa të korporatave me prezantimet e mia. Këto tre vende më dhanë forcën dhe një mundësi për të paraqitur planet e mia për grupet më të mëdha të njerëzve.

F.N : Çfarë ju tërheq më shumë në profesionin tuaj?

E bukura, kreativiteti, dhe dashuria. Unë flas me njerëzit në nevojë nëpërmjet krijimtarisë sime. Çdo pjesë e bizhuterisë sime është një dizajn më vetë origjinal pa kopje tjetër. Çdo gur gjysmë i çmuar ka kuptimin e tij dhe unë punoj rreth energjisë së gurëve dhe kristaleve. Kënaqem duke kombinuar gurët me ngjyrat e tyre vezulluese të cilat japin fuqi. Në çdo pikë sferë, është vënë një fije peri ku vendos shumë bekime për personin që do ta mbajë atë dhe kjo mua më plotëson. Ajo që më pëlqen më shumë në lidhje me krijimin e bizhuterive, është se kombinoj krijimtarinë time me filantropinë duke ua dhuruar grave të dhunuara, jetimëve, personave me aftësi të kufizuara, fëmijëve me nevoja të veçanta, fëmijëve me autizëm, Organizatës së Gruas Shqiptaro-Amerikane Amerikane “Motrat Qiriazi”, komunitetin shqiptar, Organizatën “Nënë Tereza”. Thirrja dhe suksesi im, tani ndesh lumturinë time. Më në fund arrita, të ndjehem krenare e plotësuar për arritjet e mia dhe vizionin tim, për të ndarë bukurinë, dashurinë dhe lumturinë me botën.

ana-10F.N : Çfarë mendoni për imazhin e gruas në shekullin e XXI?

A.M : Gruaja sot mban në krye, shumë tituj dhe këtë e bën me besim të plotë. Ato kanë vizion dhe i bëjnë ëndrrat e tyre realitet. Gratë sot punojnë shumë dhe kanë një ndjenjë të fortë të tyre, si edhe vajza ime Franciska, e cili për mua është si çdo grua për të cilin unë shikoj lart e më lart.

F.N : Sa e integruar është gruaja shqiptare në komunitetin shqiptaro-amerikan?

A.M : Gratë shqiptare-amerikane janë të bashkuara. Nuk ka asnjë ndryshim nga ata vijnë. Në çdo ngjarje në komunitetin tonë, jemi së bashku; gra nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova, Çamëria. Të gjitha ulen së bashku duke kënduar këngë tonat dhe duke kujtuar tregime histori të reja dhe te vjetra. Ne mbështesim njëra-tjetrën dhe kurrë nuk harrojmë se nga vijmë dhe që ne, jemi shqiptare.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...