12 Tetor 2016 - 16:22
Gjatë takimit, kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në anëtarësimin e saj në NATO, në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, si dhe mbështetjen që i jep ecurisë së saj në procesin e integrimit evropian.
“Jam këtu për të shprehur falënderimin për gjithë mbështetjen që Greqia ka dhënë për Shqipërinë, jo vetëm për anëtarësimin në NATO, por dhe për marrjen e statusit së vendit kandidat për t’u anëtarësuar në BE gjatë presidencës greke. Ne mbështetemi shumë te suporti i Greqisë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Jemi dy nga popujt më të vjetër të gadishullit dhe në pjesën më të madhe të historisë popujt tanë kanë bashkëjetuar dhe kanë ndarë vështirësi të përbashkëta”, u shpreh Meta.
Në këtë kuadër, kryetari i Kuvendit theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të dominohen nga interesat e përbashkëta dhe se çështjet e mbartura nga e kaluara duhen trajtuar në mënyrë konstruktive sipas përkatësisë evropiane që na takon.
“Natyrisht, si të gjithë fqinjët, në historinë e marrëdhënieve tona kemi disa plagë, por nuk janë këto që dominojnë marrëdhëniet tona. Ato dominohen nga interesat e përbashkët, dhe dihet që një plagë edhe kur e përkëdhel, prapë e lëndon. Por unë besoj që ne me urtësi dhe me vullnet pozitiv, jo vetëm që do t’i japim një hov të ri marrëdhënieve të gjithanshme shqiptaro-greke, sepse kjo është një kërkesë e qytetarëve tanë, por dhe t’i trajtojmë në mënyrë konstruktive sipas edhe përkatësisë evropiane që na takon të gjitha çështjet e mbartura nga e kaluara”, shtoi Meta.
Kryeparlamentari shqiptar vlerësoi momentin pozitiv të Greqisë, si edhe përmirësimin e situatës ekonomike dhe sociale, pasi fatet e dy vendeve tona kanë qenë dhe janë sot më të lidhura se asnjëherë tjetër, tha ai
“Ne kemi përfituar shumë nga zhvillimi dhe të mirat e Greqisë pas viteve ‘90 dhe njëkohësisht edhe ne kemi ndjerë pasojat e krizës ekonomike sociale këtu vitet e fundit. Ndaj gëzohem shumë për këtë moment stabiliteti, sepse një Greqi më e fortë ekonomikisht dhe politikisht është edhe interesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve”, u shpreh ai.
Duke u ndalur tek çështjet e emigrantëve shqiptarë në Greqi, kryetari i Kuvendit vlerësoi vizionin integrues të qeverisë Tsipras dhe kërkoi që të bëhen përpjekje edhe më të mëdha në këtë drejtim.
Ai falenderoi kryeministirn Tsipras dhe qeverinë që ai drejton “për vizionin mjaft integrues për emigrantët”. Do ju lutesha që të bënit përpjekje të tjera në këtë drejtim, theksoi Meta, pasi kjo është shumë e rëndësishme për të dy vendet tona, jo thjesht për miqësinë, por edhe për vëllazërinë midis shqiptarëve dhe grekëve.
Në 26 vjet janë krijuar kaq shumë lidhje mes dy vendeve dhe dy popujve, lidhje familjare, shoqërore, njerëzore, ekonomike, tregtare sa që nuk mund të ketë më forcë as politika për t’iu kundërvënë kësaj marrëdhënie mjaft të fuqishme njerëzore në radhë të parë mes dy vendeve, tha kryeparlamentari.
Nga ana e tij, kryeministri Tsipras, e vuri theksin tek përmirësimi i marrëdhënieve dhe mbrojtjen e perspektivës së fqinjësisë së mirë. Ai i premtoi kryetarit të Kuvendit, se qeveria greke do të angazhohet për të krijuar më shumë lehtësira për dokumentet e emigrantëve shqiptarë.
“Ky takim zhvillohet në një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy shteteve fqinje, marrëdhënie të cilat gjatë rrugëtimit të tyre historik kanë pasur edhe tensione dhe probleme, por kanë pasur edhe kohëra të mira dhe ne duhet tí zgjidhim problemet dhe të kenë mbarëvajtjen e tyre. Duhet të mbrojmë perspektivën e fqinjësisë së mirë, ta mbrojmë atë nga zërat ekstremistë, nacionaliste”, u shpreh kryeministri Tsipras, duke vlerësuar edhe kontributin e Ilir Metës në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Në këtë kuadër, unë dua t’ju falënderoj juve, sepse ju keni qenë gjithnjë përballë këtyre zërave nacionaliste. Përfaqësoni Kuvendin e Shqipërisë, institucionin më demokratik, kjo është një gjë shumë e rëndësishme, është djepi i demokracisë, dhe siç e dini Greqia është vendi që e ka lindur demokracinë. Ndaj uroj që vizita këtu në Greqi të ketë qenë konstruktive. Por kryesisht uroj që zhvillimet në vendin tuaj të afirmojnë demokracinë, të afirmojnë edhe zgjidhjet në favor të popullit”, u shpreh kryeministri grek gjatë takimit me kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...