UP, marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë Limak për trajnime

12 Tetor 2016 - 15:31      

Më 12 tetor 2016, në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit Publik të Prishtinës “Hasan Prishtina”, rektori Prof. Dr. Marjan Dema, nënshkroi marrëveshje të bashkëpunimit me kompaninë Limak për vazhdimin e implementimit të programit të Limak Institutit për Shërbime Aeroportuale në Kosovë.

Sipas kësaj marrëveshjeje të bashkëpunimit, kompania Limak do të bëjë trajnimin dhe certifikimin e studentëve për menaxhim aeroportual, trajnime këto të certifikuara ndërkombëtarisht dhe të pranuara në më se 200 aeroporte në botë. Programi parasheh edhe programe të internshipeve për studentët pjesëmarrës si dhe punësim për studentët më të mirë në Limak Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe / ose në institucione të ngjashme në botë.

“Universiteti i Prishtinës në vazhdimësi zhvillon programe me qëllim të përgatitjes së mëtutjeshme akademike dhe profesionale të studentëve. Një nga fushat ku Universiteti është i koncentruar është edhe bashkëpunimi me kompani të ndryshme, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale të studentëve në trend me zhvillimet e fundit të tregut”, deklaroi Dema.

Instituti i Limak për Shërbime Aeroportuale, programi ekstra-kurrikular i organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe kompania Limak, organizohet në bashkëpunim me Institutin ENAC nga Franca, Universitetin Bogazici në Turqi dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Republikën e Kosovës. Përmes programit, studentët kanë mundësi të zhvillojnë kapacitetet akademike dhe profesionale si dhe përgatiten për tregun e punës.

“Limak ASI paraqet mundësi për studentë të talentuar që kanë dëshirë të bëhen pjesë e kësaj industrie. Instituti bën ngritjen e shkathtësive dhe përgatite studentët të ofrojnë shërbime aeroportuale”, deklaroi Haldun Firat Kokturk, Drejtor Ekzekutiv në Limak Aeroportin Ndërkombëtar të Kosovës “Adem Jashari” gjatë ceremonisë së nënshkrimit.

Kokturk falënderoi Universitetin e Prishtinës për bashkëpunimin e mirëfilltë dhe studentët për energjinë shumë frymëzuese, duke theksuar që tani më ish-pjesëmarrës të Institutit janë pjesë e Aeroportit të Prishtinës.

30 studentë në vitin e fundit të studimeve të disa fakulteteve të Universitetit Publik të Prishtinës, marrin pjesë në program në baza vjetore ndërsa deri më tani, Instituti ka bërë punësimin e më se 45 studentëve të Universitetit të Prishtinës nga dy grupet e para të pjesëmarrësve. Përgjatë programit, studentët vizitojnë institucione të ndryshme të fushës së aviacionit dhe Aeroporte në Turqi dhe Francë. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...