Athina kërkon varre ushtarësh në Shqipëri, Meta zgjidhje çështjesh të mbetura pezull

12 Tetor 2016 - 10:23      

Athina zyrtare nuk heq dorë nga pretendimi se në Shqipëri ndodhen ushtarë grekë të rënë gjatë luftës, për të cilat grekët kërkojnë të ngrihet një varrezë.

Kjo kërkesa i është shtruar përpara kreut të Kuvendit, Ilir Meta nga presidenti grek Prokopis Pavlopoulos në ditën e tij të dytë të vizitës në Athinë. Problemet e trashëguara nga e kaluara si çështja “Çame” dhe ligji i Luftës kanë qenë dy nga temat që janë diskutuar gjatë takimeve që Meta zhvilloi me kryetarin e Parlamentit grek, Nikolaos Voutsis dhe presidentin Pavlopoulos.

Meta ka theksuar me të dy zyrtarët e lartë grek nevojën e diskutimit të çështjes “Çame” dhe ligjin e Luftës, me qëllim forcimin dhe nxitjen e bashkëpunimit politik mes vendeve. “Marrëdhëniet strategjike mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë rëndësi rajonale dhe mesdhetare, ndaj të diskutojmë hapur dhe në mënyrë konstruktive, në interes të së ardhmes së përbashkët dhe të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe duke zgjidhur kështu çështjet e trashëguara nga e kaluara dhe të mbartura në kohë”, nënvizoi Meta, i cili më tej shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në anëtarësimin e saj në NATO dhe në marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në BE.

Shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri janë cilësuar nga kryeparlamentarët si lidhje të shëndosha për bashkëpunimin mes dy shteteve. Kreu i Parlamentit shqiptar nuk ka bërë thirrje që çështjet e Ligjit të Luftës dhe ajo e pronave të shqiptarëve që kanë jetuar në Çamëri duhet të zgjidhen, jo vetëm të diskutohen sepse kjo sipas tij do t’i shërbente përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Është përgjegjësi e jona gjetja e instrumenteve të duhura për të na çliruar nga ngarkesa dhe akte historike në funksion të krijimit të një fryme dhe opinioni pozitiv për shoqëritë e vendeve tona në kuadrin e realiteteve moderne e me shikim në të ardhmen e përbashkët. Komisionet e përbashkëta ndërdikasteriale duhen nxitur për t’i dhënë një zgjidhje bashkëkohore ligjit të njëanshëm të luftës të 1940-s për të pasqyruar realitetin e sotëm të fqinjësisë së mirë, përkatësisë transatlantike, rrugëtimit evropian dhe miqësisë se hershme ndërmjet dy popujve tanë.

Po kështu, respektimi i të drejtave të pronës së qytetarëve shqiptarë, që kanë jetuar në Greqi do të ndihmonte shumë në krijimin e një klime më të favorshme në marrëdhëniet tona”, është shprehur Meta. Ndërkaq, gjatë këtij takimit Nikolaos Voutsis i akordoi Metës “Medaljen e Artë të Parlamentit të Greqisë”. Kjo medalje i akordohet personaliteteve të rëndësishme në shenjë nderimi për kontributin e tyre nga Parlamenti grek. Në takim me presidentin grek, Pavlopoulos i kërkoi Metës që të përfundojë procesi i ndërtimit të varrezave me ushtarët grekë, një pretendim ky i hershëm i Athinë.

Por, në një intervistë për “Top-Channel”, Meta tha se ky problem do të trajtohet në komisionin e përbashkët që do të mblidhet. “Unë besoj se kjo kërkesë e bërë nga Presidenti i Greqisë ka gjetur një zgjidhje në vetë marrëveshjen midis dy vendeve dhe dy qeverive në fillimin e këtij procesi që ka nisur prej kohësh dhe në vazhdimësinë e tij. Më lejoni t’ju kujtoj që vetëm pas pak kohësh do të rimblidhet komisioni i përbashkët për këtë çështje. Ne jemi një vend demokratik, jemi një vend evropian, ka standarde ndërkombëtare, të cilat jemi angazhuar që t’i respektojmë dhe në këtë drejtim besoj se do të ecet me vullnet pozitiv për të respektuar këto ndjeshmëri”, është shprehur Meta.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...