Beqaj: Qeveria do të bënte gabim nëse do të bisedonte me Serbinë për Trepçën

11 Tetor 2016 - 23:49      

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Besim Beqaj, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se qeveria e Kosovës do të bënte gabim të madh nëse do të pranonte që për Trepçën të bisedohej me Serbinë.

Duke folur për aprovimin e Ligjit për Trepçën, Beqaj ka thënë se Kosova nuk do të duhej të bisedonte me Serbinë për pasuritë e saj shtetërore.

“Do të ishte gabim nëse Trepça do të jetë pjesë e bisedimeve. Nuk bisedohet për pasuritë shtetërore. Nga pozicioni im nuk do të duhej të rrezikoheshim”, ka thënë Beqaj, transmeton Koha.net.

Beqaj ka thënë se me ligjin e ri synohet rifunksionalizimi i Trepçës dhe sipas tij, qeveria tani e ka më të qartë se çfarë dëshiron të bëjë me Trepçën.

“Me ligjin e ri synohet rifunksionalizimin e Trepçës. Të gjitha mineralet e saj janë pronë e Kosovës. Unë dua të besoj se ajo është në duart e qeverisë. Deri më tani ka pasur arsyetime se nuk ka pasur ligje, por tani ka ligj dhe qeveria e ka të qartë se çfarë dëshiron të bëjë me Trepçën”, ka theksuar ai.

I pyetur nëse Qeveria do të funksionalizojë pjesën veriore të minierave të Trepçës, kur kryeministri serb Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se nuk do të lejojë autoritetet kosovare në Leposaviq, Beqaj ka thënë se qeveria e Kosovës nuk duhet të ndikohet nga vendimet e Serbisë.
“Sa i përket vendimeve të Serbisë ne nuk duhet të ndikohemi. Ata mund të shpallin ligje të pavlefshme në Serbi mirëpo jo në Kosovë. Besoj që nuk është koha e tregimit të muskujve. As nga Vuçiqi as nga Qeveria e Kosovës. Ka me qenë sfiduese pjesa veriore e Trepçës. Ajo nuk ndahet në etni. Ajo është e Kosovës”, ka shtuar ai.

Lista Srpska ka paralajmëruar se do të çojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin e ri për Trepçën, derisa Beqaj i ka bërë thirrje kryeministrit Isa Mustafa që të merret vesh me deputetët serbë.

“Kisha dashur që kryeministri të merret vesh me ta. Lista Srpsa duhet të kuptojë që shteti i tyre është Qeveria e Kosovës. Që ata paguhen nga taksat e qytetarëve të Kosovës. Në këtë drejtim kryeministri duhet të jetë i pakompromis. Ne nuk duhet të biem pre e qejfeve dhe tekeve të tyre. Unë nuk jam për bojkote. Lista duhet të reflektojë dhe të mos bëhet instrument i Beogradit sa herë që dëshiron të nxisë situata të këqija”.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...